Granit Xhaka: “Jam i entuziazmuar për sezonin e ri, Emery i njeh më shumë lojtarët”

  • 17 August 2019 - 10:44
Granit Xhaka: “Jam i entuziazmuar për sezonin e ri, Emery i njeh më shumë lojtarët”

Unai Emery e ka nisur mbarë sezonin e ri në Premierligë, i dyti në stolin e klubit anglez.

Arsenali startoi me fitore, duke e mposhtur në udhëtim skuadrën e Newcastle United, 1-0 në “St James’ Park”.

Të shtunën, nga ora 13:30, “Topçinjtë” zhvillojnë ndeshjen e parë në Emirates, do të presin Burnleyn.

Granit Xhaka, kapiteni i Arsenalit, është i entuziazmuar për startin e sezonit të ri, ai beson se me Emery, gjërat do të shkojnë edhe më mirë këtë vit, pasi tashmë i njeh shumë më shumë lojtarët.

“Mendoj se sezoni s’do të jetë i lehtë, por e njohim më shumë njëri-tjetrin dhe trajneri i njeh lojtarët më mirë. Ne e njohim atë, çfarë dëshiron dhe siç kam thënë më parë, jam i entuziazmuar për sezonin e dytë me Unai Emery, duam të bëjmë sezon të mirë”, u shpreh Xhaka.

“Jam i entuziazmuar për sezonin e ri. Për mendimin tim, nuk kemi pasur sezon të dobët vitin e kaluar; arritëm në finale, e humbëm atë, ishim mirë në Premier League deri në pesë ndeshjet e fundit. Duhet të përmirësohemi në detaje të vogla dhe pas kësaj mendoj se do të jemi aty, ku ky klub meriton të jetë”.

26-vjeçari është pjesë e Arsenalit që nga viti 2016. Ai ka bërë  135 paraqitje me “Topçinjtë” dhe ka shënuar 11 gola. 

(Kosova Sot Online)