Ipko Superliga vazhdon me ndeshje interesante

  • 18 August 2019 - 10:12
Ipko Superliga vazhdon me ndeshje interesante

Ka startuar IPKO Superliga e Kosovës.

Kampioni në fuqi, Feronikeli e nisi gjithçka me këmbën e mbarë, duke fituar me rezultatin e thellë 4-1 përballë Drenicës.

Golashënuesi kryesor i sezonit të kaluar, Kastriot Rexha zhbllokoi sfidën në Drenas, në minutën e 41-të, duke çuar Feronikelin në dhomat e zhveshjes në avantazhin e një goli.

Në pjesën e dytë shënuan Da Silva, sërish Rexha dhe Bojku, ndërsa miqtë gjetën golin e vetëm me anë të Prokshit, që gjithsesi shërbeu vetëm për statistikë, pasi pikët shkuan për vendasit.

Me të njëjtin rezultat, 4-1, por këtë herë me përmbysje, fitoi edhe Llapi përballë skuadrës së sapongjitur në Superligën kosovare, Vushtrrisë.

Në Podujevë ishin miqtë që kaluan të parët në avantazh, pas golit të shënuar nga sulmuesi shkodran Jasmin Rraboshta në minutën e 20-ë të takimit.

Megjithatë reagimi i Llapit ishte fantastik në 45-minutëshin e dytë, pasi dy herë Zabergja, Osmani dhe Ramadani, shënuan në portën e Vushtrrisë, për të kompletuar fitoren me përmbysje.

Sfida më e rëndësishme e javës, derbi i kryeqytetit mes Flamurtarit dhe Prishtinës, përfundoi në barazim 1-1.

Në këtë takim gjithçka u regjistrua në minutat e para, me kuqezinjtë që zhbllokuan sfidën në minutën e tretë dhe Prishtinën që barazoi 10 minuta më vonë me Januzin.

IPKO Superliga do të vijojë sot me 3 ndeshjet e tjera të javës së parë të sezonit të ri; Drita – Ferizaj, Trepça’89 – Gjilani dhe Dukagjini – Ballkani, të gjitha ndeshjet do të zhvillohen nga ora 17:00.

(Kosova Sot Online)