Kloppi zbulon se Coutinho iu ofrua Liverpoolit këtë verë

  • 20 gusht 2019 - 07:53
Kloppi zbulon se Coutinho iu ofrua Liverpoolit këtë verë

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka lënë të kuptohet se klubi anglez ishte i interesuar ta kthejë Philippe Coutinhon në skuadër, mirëpo nuk kishte mjaftueshëm para për ta sjellë brazilianin sërish në “Anfield”.

Philippe Coutinho iu bashkua Bayern Munichut në formë huazimi për sezonin 2019/20 të hënën. Kampioni i Bundesligës e ka opsionin për ta bërë këtë transferim permanent për 120 milionë euro në fund të sezonit.

Si pjesë e marrëveshjes, Bayerni ia pagoi Barcelonës 8.5 milionë euro për transferimin e Coutinhos si huazim për këtë sezon, si dhe do t’i ketë përgjegjësi pagat e 27-vjeçarit gjatë gjithë sezonit.

Sulmuesi nuk i arriti pritshmëritë që ishin krijuar për të në Barcelonë, pas transferimit të tij për 160 milionë euro nga Liverpoolit në janar të vitit 2018. Si rezultat, klubi kërkonte ta shiste brazilianin gjatë kësaj vere.

Mediat spanjolle kishin sugjeruar se ai do të përdorej si pjesë e marrëveshjes për blerjen e Neymarit nga Paris Saint-Germaini. E tani Kloppi ka konfirmuar se Coutinho i ishte ofruar Liverpoolit, por klubi nuk kishte pasur mjaftueshëm para.

“Tingëllon paksa e çuditshme, por ne s’mund ta përballonim në aspektin financiar transferimin e tij. Ne veçse e kemi shpenzuar paratë që i fituam nga shitja e tij”, ka thënë Kloppi në një intervistë të dhënë për Goal.

“Ne nuk kishin dashur ta shesim Coutinhon [në vitin 2018], mirëpo Barcelona na detyroi me para, le të themi kështu”.

“Transferimi është i kuptimtë për të dyja klubet. Ai është superlojtar dhe një djalosh i mrekullueshëm. Ai është një futbollist i klasit botëror që mund t’i ndryshojë ndeshjen në ambientin e duhur”. 

(Kosova Sot Online)