Reagon Man Unitedi pas thirrjeve raciste ndaj Pogbas

  • 20 August 2019 - 11:34
Reagon Man Unitedi pas thirrjeve raciste ndaj Pogbas

Manchester Unitedi thotë se është duke tentuar t’i identifikojë personat përgjegjës për abuzimin në baza racore që iu bë mesfushorit francez, Paul Pogbas, mbrëmë përmes rrjetit social Twitter.

Francezi 26-vjeçar, Paul Pogba, e humbi një penallti gjatë pjesës së dytë të barazimit 1:1 të Manchester Unitedit kundër Wolves të hënën. Pas kësaj, francezi u bë lojtari i tretë brenda një javë që përballet me racizëm.

Të dielën, sulmuesi i Reading, Rakou Meite, reagoi ashpër ndaj thirrjeve racistë që u bënë drejt tij në rrjetet sociale, pasi e humbi një gjuajtje nga pika e penalltisë. Javën e kaluar, Chelsea reagoi kundër postimeve raciste në drejtim të Tammy Abraham, i cili e kishte një penallti në gjuajtjet e penalltive kundër Liverpoolit në Super Kupën e UEFA-s.

Shumë tifozë vërejtën postime me të njëjtat thirrje raciste edhe të hënën në mbrëmje, këtë herë të drejtim të Pogbas – i cili e fitoi penalltinë që s’arriti ta shndërrojë në gol – pak kohë pas përfundimit të ndeshjes në Molineux.

Disa prej këtyre postimeve  u fshinë pas pak kohe, ndërsa Twitter i suspendoi disa prej atyre llogarive – pasi që sipas rregullave të këtij rrjeti social, veprime ndërmerren ndaj llogarive që i kanë cak individët me gjuhë urrejtjeje.

Manchester Unitedi thotë se klubi është i gërditur nga ky lloj abuzimi dhe i dënon ashpër veprimet e tilla.

“Individët që i shprehën këto pikëpamje nuk i përfaqësojnë vlerat e klubit tonë të mrekullueshëm dhe është inkurajuese ta shohim numrin e madh të tifozëve tanë që po i dënojnë këto deklarata në rrjete sociale”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga klubi.

“Ne do të punojmë për t’i identifikuar të përfshirët në këtë incident dhe do t’i ndërmarrim masat më të ashpra që i kemi në dispozicion. Ne gjithashtu i inkurajojmë kompanitë e rrjeteve sociale të ndërmarrin veprime në raste të tilla”.

Në korrik, shoqata kundër racizmit “Kick It Out” raportoi se gjatë sezonit të kaluar abuzimi në baza racore u rritur për 43 për qind. 274 raste u raportuan, në krahasim me 192 të vitit paraprak. 

(Kosova Sot Online)