E enjtja, ditë vendimtare për Mauro Icardin

  • 21 August 2019 - 18:52
E enjtja, ditë vendimtare për Mauro Icardin

Dita e nesërme, e enjte, pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e Mauro Icardit. Interi e ka pranuar ofertën e Napolit për të dhe e gjitha që mbetet është të bindet lojtari.

Sulmuesi argjentinas e ka refuzuar çdo ofertë deri tani, sepse dëshiron të kalojë në Juventus apo të mbetet në Inter, edhe pse i është bërë e qartë se nuk është në planet e Antonio Contes.

Sipas Corriere dello Sport, Interi e ka pranuar ofertën e Napolit prej 65 milionë euro për sulmuesin, por gjendja mbetet e njëjtë si në javët e fundit, sepse duhet bindur Icardin për të ndryshuar diçka.

E enjtja mund të jetë vendimtare, megjithatë, sepse thuhet se menaxherja dhe bashkëshortja e Icardit, Wanda Nara, do të jetë në Capri për të pozuar.

Ishulli Capri ndodhet pranë Napolit dhe është një mundësi ideale për bisedime me presidentin e Napolit, Aurelio De Laurentiis.

(Kosova Sot Online)