Zyrtare: Zappacosta i bashkohet Romës

  • 21 gusht 2019 - 20:26
Zyrtare: Zappacosta i bashkohet Romës

Mbrojtësi i djathtë i Chelseat, Davide Zappacosta, i është bashkuar Romës si lojtar i huazuar për gjashtë muaj, me opsion për të qëndruar deri në qershor të vitit 2020.

Transferimi i tij u kompletuar sot, pasi ai kishte mbërritur në Romë mbrëmë për t’i kryer testet mjekësore.

“Zappacosta i bashkohet Romës nga klubi anglez fillimisht si lojtar i huazuar për gjashtë muaj, pra deri në janar të vitit 2020. Si pjesë e marrëveshjes, ekziston një opsion që ai ta zgjasë huazimin deri në qershor 2020”, thuhet në njoftimin e Romës.

Në të njëjtën kohë, Chelsea njoftoi se Zappacosta e ka zgjatur kontratën me klubin nga Premierliga deri në qershor të vitit 2022.

“Jam i lumtur që kam ardhur në Romë pas një përvoje jashtë vendit, e cila më ka ndihmuar vërtet shumë, si njeri dhe si lojtar”, tha Zappacosta.

(Kosova Sot Online)