Pezullimi i Modricit e lë Zidane me një dilemë

  • 23 August 2019 - 09:35
Pezullimi i Modricit e lë Zidane me një dilemë

Real Madridi do të përballet me Real Valladolidin të shtunën pa njërin ndër lojtarët kyç, Luka Modricin. Katër kandidatët që mund ta zëvendësojnë atë janë Fede, Isco, James ose Lucas.

Konfirmimi se Luka Modric është pezulluar për një ndeshje të La Ligës e lë trajnerin Zinedine Zidane me një dilemë të madhe për formacionin e parë në ndeshjen kundër Real Valladolidit.

Pa Modricin, lojtarin e dhjetë me më së shumti minuta të luajtur nën trajnerin francez, Zidane do të duhet ta zgjedhë njërin ndër katër kandidatët: Isco, Fede Valverde, James Rodriguez ose Lucas Vazquez.

AS shkruan se zgjedhja më e logjikshme do të ishte Isco, pasi që ai ishte lojtari i dhjetë me më shumti minuta lojë gjatë turneut parasezonal këtë verë. Ai ishte titullar në katër nga shtatë ndeshjet e zhvilluara dhe luajti për 329 minuta.

Këto statistika e vendosin atë në një pozitë shumë më të mirë sesa treshja tjetër dhe e theksojnë besimin që Zidane e ka te ai. Gjithashtu, ai do të përshtatej mirë me sistemin 4-3-3, duke luajtur në pozitën e Modricit.

Përderisa Isco duket si zgjedhja më e logjikshme, Fede dhe James gjithashtu mund ta zëvendësojnë kroatin. Mirëpo, Zidane mund të vendosë edhe ta ndryshojë formacionin në 4-4-2 dhe të luajë me Lucas Vazquezin.

Pjesa tjetër e ekipit të parë do të mbetet e pandryshuar nga udhëtimi i javës së kaluar në Celta Vigo, përveç Dani Carvajalit, i cili do të kthehet nga një pezullim dhe pritet të jetë titullar para Alvaro Odriozolas. 

(Kosova Sot Online)