Biletat për Shqipëri – Islandë deri në 100 euro

  • 24 gusht 2019 - 12:52
Biletat për Shqipëri – Islandë deri në 100 euro

Federata Shqiptare e Futbollit njofton të gjithë të interesuarit së kanë dalë në shitje biletat e ndeshjes eliminatore të “Euro 2020”, Shqipëri-Islandë.

Sikurse dihet, kjo përballje do të luhet më 10 shtator, ora 20:45, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Edy Reja bëjnë pjesë në grupin H të këtyre eliminatoreve së bashku me Francën, Turqinë, Islandën, Moldavinë dhe Andorrën.

Të gjithë të interesuarit për biletat e kësaj ndeshjeve mund t’i blejnë ato në faqen zyrtare të FSHF. Biletat e të gjithë sektorëve dhe tribunave janë në shitje.

Për ta parë nga tribuna VIP këtë ballafaqim kushton vërtet shumë për nivelin ekonomik të shqiptarëve. Më saktësisht, biletat aty vlejnë 120 mijë lekë të vjetra, ose e thënë ndryshe, 100 euro.

Më shkoqur, një vend në atë pjesë të stadiumit kushton sa gjysma e rrogës minimale mujore të një shqiptari.

Sidoqoftë, ka alternativa të tjera për ata që duan të jenë prezent, edhe me 5 mijë lekë të vjetra. 

(Kosova Sot Online)