Dëshpërohet De Ligt: Nuk prisja që Juve do të më linte rezervë

  • 25 August 2019 - 13:53
Dëshpërohet De Ligt: Nuk prisja që Juve do të më linte rezervë

Matthijs de Ligt është shprehur i dëshpëruar që është lënë në bankën e rezervistëve në ndeshjen hapëse të Juventusit në udhëtim kundër Parmas në Serie A të shtunën, duke thënë se nuk e priste një gjë të tillë.

Qendërmbrojtësi 20-vjeçar iu bashkua Juventusit nga Ajaxi për 85.5 milionë euro këtë verë, por iu desh ta shoh nga stoli fitoren e bardhezinjve 1:0 kundër Parmës.

“Natyrisht se kam dashur të luaj dhe nuk pati asnjë indikacion nga stërvitja, prandaj nuk prisja të më linin në bankën rezervë”, tha De Ligt për gazetën holandeze “AD”.

“Unë sigurisht e respektoj vendimin e trajnerit. Duhet të jem realist, sepse ende jam duke u adaptuar në Itali. Mbrojtësit që luajtën, Leonardo Bonucci dhe Giorgio Chiellini, tash e një kohë të gjatë vlerësohen si më të mirët në botë”, shtoi ai.

Ai e pranoi se i duhet të luftojë për ta zërë vendin e titullarit.

“Më duhet ta meritoj vendin gjatë gjithë sezonit”, e pranoi ai.

(Kosova Sot Online)