Wanda: Icardi e do vetëm Interin, refuzoi oferta që askush në botë s’do t’i refuzonte

  • 26 August 2019 - 08:57
Wanda: Icardi e do vetëm Interin, refuzoi oferta që askush në botë s’do t’i refuzonte

Wanda Nara, bashkëshortja dhe menaxherja e Mauro Icardit, ka këmbëngulur se sulmuesi argjentinas ka hedhur poshtë oferta që askush në botë nuk do t’i refuzonte vetëm e vetëm për të qëndruar në Inter, si dhe e ka mohuar se ka biseduar me Juventusin.

Icardi është lënë plotësisht jashtë çdo plani të Interit, i është marrë shiriti i kapitenit dhe numri 9 në fanellë pas ardhjes së re Romelu Lukaku gjatë kësaj vere.

Përkundër kësaj, 26-vjeçari vazhdon ta refuzojë largimin, mbi të gjitha në drejtim të Napolit, edhe pse muajve të fundit është raportuar se ai do ta pranonte largimin vetëm për Juventusin.

Të gjitha këto i mohon Wanda Nara, megjithatë.

“Ne kemi shumë miq në Napoli. Është e vërtetë, ai i ka thënë jo çdo skuadre tjetër që nuk është Inter. Të gjithë e dinë zgjedhjen e tij që prej fillimit të verës. Në fund të fundit, ai do të mbetet në Inter”, tha Wanda.

“Ai nuk beson se ka marrë fund me Interin. Nuk e di çfarë do të ndodhë por e di çfarë ka thënë ai kur është hapur tregu i transferimeve dhe ai e ka mbajtur atë qëndrim. Ai pati oferta që askush në botë nuk do t’i kishte refuzuar, por ai iu tha jo për Interin”, shtoi ajo.

E pyetur për thashethemet se ka folur me Juven, ajo këmbënguli: “Askush nuk ka folur me ta, e as unë”.

(Kosova Sot Online)