Tifozët e Kosovës, “Dardanët”, bëjnë diçka të veten

  • 26 August 2019 - 15:39
Tifozët e Kosovës, “Dardanët”, bëjnë diçka të veten

Grupi zyrtar i tifozëve të Kosovës, “Dardanët”, në vazhdën e konsolidimit të tyre, të martën do ta bëjnë edhe hapjen solemne të “Fan-Club-it” të tyre, çfarë i kanë edhe grupet e huaja të tifozëve.

“Fan Club Dardanët” do të jetë vendtakim i tifozëve të Kosovës, ku do të shpërndahen edhe biletat, e po ashtu edhe rekuizitat. Ky “Fan Club” hapet në njërën prej lagjeve më të vjetra të kryeqytetit, në “Tophane”.

“Ju ftojmë në hapjen solemne të “Fan Club Dardanët”. Ejani ta festojmë së bashku hapjen e klubit të Dardanëve, vendtakimin e ardhshëm të të gjithë tifozëve të Kosovës, një hapësirë multi-funksionale, për shoqërim, punë dhe shiqimin e përbashkët të ndeshjeve sportive. Të martën me 27 gusht, ora 20:00. Lokacioni: përballë Fabrikës së Tjegullave, Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Dardanëve.

Kosova më 7 shtator do ta presë në Prishtinë Çekinë, kurse më 10 shtator do ta vizitojë Anglinë, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020”.

(Kosova Sot Online)