Vëllai i Pogbas nxit sërish spekulimet për kalimin në Real Madrid

  • 27 August 2019 - 09:32
Vëllai i Pogbas nxit sërish spekulimet për kalimin në Real Madrid

Matthias Pogba ka deklaruar se mesfushorit të Manchester Unitedit, Paul Pogbas, mund t’i bëjnë mirë Real Madridi dhe trajneri Zinedine Zidane, në mes të spekulimeve të vazhdueshme për një kalim në La Liga.

Paul Pogba mbetet ende nën radarin e Real Madridit, të cilët duan ta sjellin mesfushorin francez në “Santiago Bernabeu” para se të mbyllet afati kalimtar për klubet evropiane, më 2 shtator.

Manchester Unitedi besohet se e dëshiron për Pogban një shumë të ngjashme me 222 milionë eurot që Paris Saint-Germainin ia pagoi Barcelonës për Neymarin në vitin 2017.

Matthias Pogba – vëllai më i madh i yllit të Manchester Unitedit, i cili luan në ligën e nivelit të tretë të futbollit në Spanjë – u pyet për të ardhmen e fituesit të Kupës së Botës me Francën.

“Nuk e di, unë nuk jam brenda në “Bernabeu”. Në futboll, nuk i dihet kurrë. Ai është shumë mirë, si gjithmonë. Askush nuk pret nga unë që të them gjëra të këqija për Unitedin”, ka thënë Matthias për AS.

“Pauli është profesionist dhe e tashmja e tij është atje. E ardhmja? Varet nga klubet: nëse Manchester Unitedi dëshiron ta shesë dhe Real Madridi dëshiron ta blejë. Kjo është e gjitha biznes”.

“Të gjithë e dinë se vëllait tim mund t’i bëjnë mirë Real Madridi dhe Zidane. Ata që duhet të bisedojnë janë Real Madridi dhe Manchester Unitedi. Nuk e di çfarë të them… Zidane ka folur mirë për vëllain tim, është një nder”.

Deri më tani, Paul Pogba – i cili u transferua në Manchester United nga Juventusi në vitin 2016, i ka regjistruar dy asiste në tri ndeshje të këtij sezoni të Premierligës. 

(Kosova Sot Online)