Shtatë gola në pesë ndeshje – Norvegjezi që mund t’ia marrë Këpucën e Artë Messit

  • 27 August 2019 - 14:44
Shtatë gola në pesë ndeshje – Norvegjezi që mund t’ia marrë Këpucën e Artë Messit

Red Bull Salzburg shpeshherë has në lojtarë të rinj e të talentuar, të cilët premtojnë shumë për të ardhmen. Pas Sadio Manes, së fundi në skuadrën e Salzburgut po shkëlqen Erling Braut Haaland.

Sezoni sapo ka filluar, mirëpo norvegjezi ia ka dhënë vetes një mundësi të mirë për ta fituar Këpucën e Artë të Evropës. Për ta arritur këtë, ai duhet ta kalojë Lionel Messin, i cili do të tentojë ta fitojë të katërtën radhazi.

Pasi që Bundesliga e Austrisë ka koeficient më të ulët sesa Premierliga ose La Liga, golat e Haalandit do të shumëzohen me 1.5, në krahasim me 2.0 për golat e shënuara në ligat më të mëdha të Evropës.

Megjithatë, djali i Alf-Inge Haaland tashmë është duke shfaqur shenja se mund ta arrijë synimin e tij, përkundër vështirësisë.

Erik Sorga i Flora Tallinnit është për momentin duke e kryesuar listën për Këpucën e Artë, mirëpo kjo vjen vetëm për shkak se ligat në shtetet skandinave nisin para ligave të tjera në Evropë. Deri më tani, ai i ka grumbulluar 10.5 pikë me shtatë golat e tij.

Sorga është duke e shënuar mesatarisht një gol çdo 58 minuta, mirëpo Marca sugjeron se Haaland do ta kalojë atë gjatë pjesës tjetër të sezonit. Megjithatë, mbetet të shihet nëse ai mund t’i kalojë të gjithë sulmuesit e Evropës.

Pasi ka lindur në Angli dhe babai i tij kishte luajtur për Leeds Unitedin, norvegjezi vazhdon të ketë lidhje të ngushta me klubin anglez. Kjo lidhje mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhmen e futbollistit.

“Ëndrra ime është ta fitojë titullin e Premierligës me Leeds Unitedin dhe të jem më i mirë sesa babai im”, filloi Haaland.

Përkundër që e shfaqi talentin e vet edhe gjatë ndeshjeve me ekipin e të rinjve të Bryne, sulmuesi ngjalli më së shumti interesim gjatë verës, në Kampionatin Botëror U-20, ku i shënoi nëntë gola në një ndeshje të vetme kundër Hondurasit.

(Kosova Sot Online)