Lewandowski e paralajmëron Dortmundin pas transferimit të Coutinhos

  • 28 August 2019 - 11:08
Lewandowski e paralajmëron Dortmundin pas transferimit të Coutinhos

Robert Lewandowski beson se Bayern Munichu e ka epërsinë kundër Borussia Dortmundit në garën për titullin e Bundesligës, duke pretenduar se ata kanë lojtarë më cilësorë sesa rivalët pas transferimit të Philippe Coutinhos.

31-vjeçari e kishte shprehur publikisht pakënaqësinë e tij me dështimin e Bayern Munichut për t’i zëvendësuar Arjen Robbenin dhe Franck Riberyn gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Ndërkohë, Dortmundi e pati një verë mjaft aktive, pasi që i siguroi shërbimet e Thorgan Hazardit, Julian Brandtit dhe Nico Szhulzit për sezonin e ardhshëm, përderisa edhe e ka kthyer Mats Hummelsin në skuadër.

Megjithatë, Lewandowski tani duket i kënaqur me punën e Bayern Munichut gjatë këtij afati kalimtar të verës, pas transferimit të Coutinhos dhe Ivan Perisicit. Polaku beson se skuadra e tij ka më shumë cilësi sesa rivali i tyre.

“Dortmundi bëri punë të madhe këtë verë, ata e kanë një skuadër të madhe. Por, në fund të fundit, s’është e rëndësishme sasia, por cilësia. Prej kësaj pikëpamje, për mua është e qartë që ne kemi lojtarë të cilësisë më të lartë”, u shpreh Lewandowski për Sport Bild.

Polaku deri më tani është i kënaqur me punën që po e bën Coutinho, pas kalimit të tij në Barcelonë në formë huazimi dhe mendon se ardhja e brazilianit e bën klubin bavarez më të paparashikueshëm.

“Coutinho i ka pasimet e fundit të çmendura, ai mund të jetë çelësi në ndeshjet e rëndësishme, si për shembull në Ligën e Kampionëve. Ai mund të na ofrojë neve diçka të veçantë. Kjo na bën më të paparashikueshëm dhe rrjedhimisht më të rrezikshëm”, shtoi ai.

Pasi barazoi me Hertha Berlinin në ndeshjen hapëse të sezonit të ri të Bundesligës, Bayerni pastaj e mposhti Schalken me rezultat 3:0. Ata i kanë dy pikë më pak sesa Dortmundi, që deri më tani i ka fituar të dyja ndeshjet e zhvilluara.

(Kosova Sot Online)