Real Madridi interesohet për Brunon, pasi i shuhen shpresat për Pogban

  • 28 August 2019 - 15:27
Real Madridi interesohet për Brunon, pasi i shuhen shpresat për Pogban

Real Madridi i ka filluar negociatat për transferimin e mesfushorit të Sportingut, Bruno Fernandesit, gjatë këtij afati kalimtar, pasi që shpresat e madrilenëve për ta transferuar Paul Pogban tashmë janë shuar.

Fituesi i Kupës së Botës, Paul Pogba, ka qenë prioriteti i trajnerit Zinedine Zidane gjatë këtij afati kalimtar të verës, mirëpo Real Madridi nuk ka arritur marrëveshje me Manchester Unitedin.

Pogba e kishte bërë të ditur synimin e tij për t’u larguar nga Manchester Unitedi këtë verë qysh para fillimit të turneut parasezonal, duke thënë se kishte ardhur koha që ai ta gjejë një sfidë të re, pas tre vjetëve në “Old Trafford”.

Por, Manchester Unitedi e ka bërë të qartë se nuk dëshiron ta lejojë shitjen e francezit këtë verë, pavarësisht se çfarë ofertë u vjen nga “Los Blancos”. Ky qëndrim i Manchester Unitedit u bë edhe më i fuqishëm pasi që klubi nuk e transferoi asnjë lojtar që do të mund ta zëvendësonte Pogban për këtë sezon të ri.

Pasi që Real Madridi, për dallim nga Manchester Unitedi, ka ende kohë të transferojë lojtarë, deri më 2 shtator, klubi madrilen së fundi është interesuar për mesfushorin e Sportingut, Bruno Fernandesin.

Burime të Goal kanë thënë se përfaqësues të klubit të La Ligës janë takuar sot me agjentin e mesfushorit të klubit portugez, i cili Real Madridit do t’i kushtonte 80 milionë euro.

Sportingu është i gatshëm t’ia shesë madrilenëve 24-vjeçarin për 80 milionë euro, përkundër që klauzola për shkëputjen e kontratës së tij është vendosur në 100 milionë euro dhe është e vlefshme deri në vitin 2023.

Më herët, këtë verë, për Brunon ishin interesuar edhe Manchester Unitedi, Atletico Madridi dhe Tottenhami. 

(Kosova Sot Online)