Barcelona e refuzon propozimin e PSG-së për Neymarin

  • 30 August 2019 - 13:45
Barcelona e refuzon propozimin e PSG-së për Neymarin

E përditshmja spanjolle raporton se drejtuesit e Barcelonës e kanë refuzuar ofertën e Paris Saint-Germainit për transferimin e Neymarit dhe tani kthimi i brazilianit në Camp Nou është pothuajse i pamundur.

Klubi katalonas i kishte shqyrtuar deri më tani kërkesat e klubit francez, i cili së fundi i ofroi Barcelonës t’ia japë Neymarin në shkëmbim të Ousmane Dembeles, Ivan Rakitivit, Todibos dhe një shume të konsiderueshme parash.

Këta tre lojtarë i kërkonte PSG-ja të jenë pjesë e marrëveshjen për kthimin e Neymarit në Barcelonë, pas huazimit të Philippe Coutinhos në Bayern Munich, pasi që klubi francez e vlerëson Neymarin 215 milionë euro.

Bordi drejtues i Barcelonës e shqyrtoi këtë propozimin dhe në fund i dha përgjigje negative drejtuesve të PSG-së. Kjo e bën pothuajse të pamundur arritjen e një marrëveshjeje, pasi që vetëm edhe katër ditë kanë mbetur para se të mbyllet afati kalimtar.

Një delegacion i Barcelonës raportohet se kishte qenë në kryeqytetin francez të martën për ta diskutuar një marrëveshje për Neymarin. Një marrëveshje e tillë do të duhej të kompletohet para 2 shtatorit, pasi që në këtë datë mbyllet afati kalimtar i verës.

Real Madridi ka qenë gjithashtu i interesuar për 27-vjeçarin, mirëpo mediat braziliane, franceze e spanjolle raportojnë se futbollisti e preferon kthimin në Camp Nou, përkundër që PSG-ja do të parapëlqente ta shiste atë në Real Madrid.

Neymari ende s’e ka bërë asnjë paraqitje për PSG-në këtë sezon, përderisa klubi ka hyrë në një krizë lëndimesh, pasi e humbi Kylian Mbappen dhe Edinson Cavanin qysh në fillim të sezonit. 

(Kosova Sot Online)