Zbulohen detaje të reja nga padia e Icardit për Interin

  • 31 August 2019 - 11:39
Zbulohen detaje të reja nga padia e Icardit për Interin

Mediat italiane i kanë publikuar edhe disa detaje të reja nga padia e Mauro Icardit kundër Interit “diskriminues”. Argjentinasi i ka paditur zikaltrit për 1.5 milion euro dëmshpërblim, në mënyrë që të lejohet të kthehet në skuadër.

Vetëm pak kohë pasi mediat italiane filluan të raportojnë se Mauro Icardi është gati ta rinovojë kontratën e tij me klubin italian edhe për një sezon tjetër, në mënyrë që të shkojë në formë huazimi në Monaco ose Atletico Madrid, ai ka vendosur ta padisë klubin.

Icardi dhe agjentja e bashkëshortja e tij, Wanda Nara, dëshirojnë që futbollisti të përfshihet plotësisht në seancat stërvitore – përfshirë këtu përgatitjet e taktikave, nga të cilat deri më tani ka qenë i përjashtuar – si dhe t’i jepen 1.5 milion euro në formë dëmshpërblimi.

Futbollistit i është bërë e qartë se ai nuk ka vend në klub që kur Antonio Conte u emërua në pozitën e trajnerit dhe Romelu Lukakut iu dha fanella e tij me numër nëntë, pas transferimit nga Manchester Unitedi.

Icardit iu dha fanella me numër shtatë dhe Interi ishte i vetëdijshëm se mund të hasë në padi ligjore, për shkak të shkeljes së kontratës, pasi që futbollistit nuk iu lejoi ta ushtrojë profesionin e vet.

Duke e pasur këtë gjë në mendje, ata u konsultuan me avokatë gjatë turneut parasezonal dhe ia dhanë Icardin minimumin e kohës në stërvitje në mënyrë që të mos jenë të rrezikuar.

Megjithatë ky tentim i Interit nuk ishte i mjaftueshëm dhe Corriere dello Sport pretendon se ai dëshiron ta përfshijë të gjithë skuadrën në këtë, duke i detyruar ata të jenë dëshmitarë para trupit gjykues.

Pjesë të publikuara nga dokumentet ligjore të kësaj padie bëjnë të ditur se ai e ka paditur Interin me pretendimin e ata ndërmorën vendime qartësisht diskriminuese ndaj tij, duke e larguar atë nga fotot e klubit, nga reklamat, duke ia marrë fanellën me numër nëntë e madje edhe duke e larguar nga grupi në Ëhatsapp, ku lajmëroheshin për agjendën e stërvitjeve.

Kjo e sqaron edhe mungesën e Icardit në darkën e skuadrës të enjten në mbrëmje.

Në këtë dokument thuhet se Icardi i kërkoi klubit më 11 gusht të lejohet të kthehet në stërvitje, mirëpo kjo kërkesë u injorua nga klubi dhe ai u detyrua të ushtrojë ndaras skuadrës, bashkë me Joao Marion.

Joao Mario e pranoi një ofertë për transferim në Lokomotiv të Moskës javën e kaluar.

“Kjo e dëmtoi dinjitetin, nderin, reputacionin dhe imazhin profesional dhe personal të futbollistit”, kështu që ai është duke paditur që të kthehet menjëherë në stërvitje të plota, mirëpo t’i paguhet dëmshpërblim në vlerë të 20% të pagës së tij, që i bie 1.5 milion euro.

Interi deri më tani ka refuzuar të sqarojë se çfarë ndodhi që e shkaktoi situatën në shkurt, ku Icardit papritmas iu mor shiriti i kapitenit për arsye që ende nuk janë sqaruar.

Wanda Nara gjithmonë ka deklaruar se futbollisti nuk kishte bërë asgjë që mund ta lejonte atë, ndërsa klubi ka sugjeruar se gjithçka do të mbetet prapa dyerve të mbyllura.

Rreth 24 orë pas atij lajmi, Icardi kishte ndierë dhimbje në kofshën e këmbës së tij dhe i bëri disa testet mjekësore, të cilat, sipas stafit mjekësor, dëshmuan se ai mund të stërvitet dhe të luajë. Por, futbollisti nuk pranoi të luajë.

Trajneri i atëhershëm Luciano Spalleti e konfirmoi në një konferencë për shtyp se Icardi i kishte thënë: “Jo, unë do të të tregoj ty kur të jem gati të filloj të stërvitem sërish”.

Ai u kthye në fushën e blertë vetëm në javët e fundit të sezonit, por tanimë dëmi ishte shkaktuar.

Napoli dhe Monaco raportohet se janë të gatshëm të paguajnë 65 milionë euro për Icardin, shumë që Interi me kënaqësi do ta pranonte, mirëpo futbollisti i ka refuzuar të gjitha ofertat.

Ai vazhdon të raportohet se po dëshiron të forcojë transferimin në Juventus, edhe pse ende juventinët s’e kanë bërë asnjë ofertë formale për të.

Sipas La Gazzetta dello Sport, tribunali do të marrë vendim për të gjithë këtë situatë brenda dy apo tre muajve.

Siç qëndrojnë gjërat, Interi do të detyrohet ta lejojë atë të luajë për të paktën 10 për qind të ndeshjeve gjatë sezonit, në mënyrë që ai të mos mundet ta shfrytëzojë klauzolën 15 të kontratës së tij, për ta shkëputur kontratën me klubin.

(Kosova Sot Online)