Kosova synon sot fitoren e dytë në kualifikimet për EURO

  • 03 September 2019 - 11:14
Kosova synon sot fitoren e dytë në kualifikimet për EURO

Ekipi kombëtar i vajzave të Kosovës do ta vazhdojë rrugëtimin drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian 2021 me përballjen e sotshme kundër Sllovenisë, sot në orën 17:00.

Vajzat e Kosovës, të drejtuara nga Afërdita Fazjlia, udhëtuan të dielën në Slloveni, ndërsa dje i mbajtën stërvitjet e fundit para përballjes kundër Sllovenisë.

Dardanet do të tentojnë ta vazhdojnë formën e mirë që e shfaqën në ndeshjen e parë kualifikuese për EURO 2021, kur e mposhtën Turqinë me rezultat 2:0 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Atmosfera në kampin e Dardaneve është shumë e mirë, derisa pas fitores së arritur kundër Turqisë (2:0), optimizmi për rezultat pozitiv në Slloveni është i madh”, shkruhet në njoftimin e lëshuar nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Ky optimizëm i kosovarëve vjen edhe pas rezultatit të fundit të vajzave të Sllovenisë, të cilat pësuan disfatë 1:0 kundër Rusisë.

Për momentin, Kosova radhitet e dyta në Grupin A, pas vetëm një ndeshjeje të zhvilluar. Holanda dhe Rusia gjithashtu i kanë nga tre pikë të grumbulluara, mirëpo Holanda kryeson për shkak se ndeshjen e parë e fitoi me rezultat 7:0, kundër Estonisë.

Kosovës do t’i duhet fitorja për ta vazhduar ëndrrën për kualifikim në EURO 2021, pasi që nga grupi do të kualifikohet vetëm një skuadër dhe Holanda konsiderohet favorite.

Në muajin tetor, Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshjet  e radhës në kuadër të këtij grupi, kundër Rusisë dhe Estonisë, ndërsa përballja me Holandën nuk vjen deri më nëntë prill. 

(Kosova Sot Online)