Hazard largohet nga Kombëtarja belge dhe kthehet në Madrid

  • 03 September 2019 - 18:49
Hazard largohet nga Kombëtarja belge dhe kthehet në Madrid

Eden Hazard është detyruar të largohet nga Kombëtarja e Belgjikës menjëherë pasi iu ishte bashkuar shokëve të ekipit, për shkak se nuk është riaftësuar plotësisht nga lëndimi që ia parandaloi debutimin në La Liga për Real Madridin.

Hazard ishte thirrur nga trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez, edhe pse ishte duke e marrë veten nga lëndimi, por ai është detyruar të rikthehet në Madrid menjëherë pasi kishte mbërritur në Belgjikë.

U mendua se Hazard do të mundë ta ndihmonte Belgjikën kundër San Marinos dhe Skocisë në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020, por doktori i ekipit kombëtar ka zbuluar se ai nuk është rikuperuar plotësisht.

Zinedine Zidane dhe Real Madridi kishin reaguar pasi Martinez e thirri në Kombëtare Hazardin. Ata shprehen shqetësimin se atij do të mundë t’i rikthehej lëndimi që e kishte pësuar në një ndeshje parasezonale me Madridin.

Zidane kishte thënë: “Ai mund të udhëtoj. Por nuk mund të luajë. Ne e dimë këtë edhe vetë ai e di këtë”.

Megjithatë, Madridi mund të jetë i qetë tani, pasi Hazard është rikthyer në klub. Hazard ende nuk është paraqitur për Real Madridin në ndonjë ndeshje garuese. 

(Kosova Sot Online)