Shaqiri reklamon medaljet e arta të Championsit e Superkupës

  • 04 September 2019 - 13:59
Shaqiri reklamon medaljet e arta të Championsit e Superkupës

Pasi i shtoi edhe dy medalja të arta – një të Ligës së Kampionëve e një të Superkupës së Evropës – në koleksionin e vet, Xherdan Shaqiri e publikoi një video në Instagram për t’i reklamuar ato medalje.

Gjatë sezonit 2018/19, Xherdan Shaqiri u shpall kampion i Evropës për të dytën herë në karrierë, pasi që skuadra e tij, Liverpooli, triumfoi ndaj Tottenhamit me rezultat 2:0 në finalen të Ligës së Kampionëve.

Liverpooli u tregua shumë i fortë për rivalin e Premierligës, Tottenhamin, në finalen që u zhvillua në stadiumin “Wanda Metropolitano”. Mohamed Salahu dhe Divock Origi e shënuan nga një gol për t’ia siguruar klubit të tyre trofeun e gjashtë në histori.

Ky sukses i Liverpoolit bëri që Xherdan Shaqiri ta shtojë edhe një tjetër medalje të artë të Ligës së Kampionëve në kabinetin e tij. Vetëm disa muaj më vonë, Liverpooli e mposhti Chelsean në finalen e Superkupës së Evropës, duke e fituar edhe një tjetër medalje të artë.

Image

27-vjeçari e kishte shijuar ndjenjën e të qenit kampion i Evropës edhe në vitin 2013, kur me Bayern Munichun e mposhti Dortmundin në finalen e Ligës së Kampionëve. Në atë kohë, Dortmundi drejtohej nga Jurgen Kloppi.

Megjithatë, sezonin e kaluar, për dallim nga viti 2013, edhe Kloppi e edhe Shaqiri e mbyllën sezonin e Ligës së Kampionëve me buzëqeshje në fytyrë.

Por, një rekord që mund të mos i pëlqejë edhe aq shumë përfaqësuesit zviceran me prejardhje nga Kosova është që trajnerët e tij nuk ia kanë besuar asnjë minutë lojë në këto dy finale. Ai mbeti në stol për të gjithë ndeshjen edhe në vitin 2013 e edhe këtë vit.

Por, përkundër që nuk e luajti asnjë minutë, Shaqiri u pajis me medalje të artë pasi që kishte kontribuar për Liverpoolin gjatë fazave paraprake, si në ndeshjen kthyese kundër Barcelonës, kur kishte qenë titullar. 

(Kosova Sot Online)