Blick: Shaqiri e gënjeu Kombëtaren e Zvicrës

  • 04 shtator 2019 - 15:19
Blick: Shaqiri e gënjeu Kombëtaren e Zvicrës

Gazeta zvicerane Blick raporton se arsyetimi i Xherdan Shaqirit për refuzimin e ftesës së ekipit kombëtar të Zvicrës për dy ndeshjet e shtatorit nuk është i vlefshëm, pasi që futbollisti kishte thënë se dëshiron të përqendrohet në Liverpool, përderisa klubi anglez nuk po mban seanca stërvitore.

Xherdan Shaqiri dëshiron të përqendrohet plotësisht te Liverpooli. Të paktën kështu deklaroi Kombëtarja e Zvicrës kur lajmëroi se 27-vjeçari nuk e ka pranuar ftesën për dy ndeshjet e radhës. Megjithatë, problemi është se Liverpooli nuk po stërvitet, shkruan Blick.

Të premten Zvicra e publikoi listën e lojtarëve të ftuar për dy ndeshjet e shtatorit dhe sqaroi se Xherdan Shaqiri nuk është në këtë listë pasi që ai nuk e ka pranuar ftesën, në mënyrë që të fokusohet te Liverpooli.

Kështu, Shaqiri do të mungojë në ndeshjet kundër Irlandës dhe Gjibraltarit, që do të zhvillohen në fillim të shtatorit dhe janë të vlefshme për kualifikimet në Kampionatin Evropian 2020.

Futbollisti tha se dëshiron të përqendrohet plotësisht te Liverpoolit, megjithatë klubi anglez nuk është duke mbajtur seanca stërvitore gjatë pushimit të ndeshjeve kombëtare, pasi që 17 futbollistë kanë shkuar të luajnë për Kombëtaret e tyre dhe të tjerët kanë zgjedhur të shkojnë në pushime.

Askush nuk është duke u stërvitur, pasi që trajneri Jurgen Klopp i ka liruar të gjithë lojtarët e tij. Futbollisti i vetëm që është parë duke u stërvitur është Adam Lallana dhe ai është stërvitur me një trajner privat të tij në San Diego.

Për më tepër, Blick raporton se askush në Liverpool nuk i ka bërë presion Shaqirit që ta refuzojë ftesën e Zvicrës për këto ndeshje dhe se kjo ishte vetë zgjedhja e futbollistit.

27-vjeçari, i cili i ka bërë 82 paraqitje me ekipin kombëtar të Zvicrës, ende nuk e ka luajtur asnjë minutë me Liverpoolin në këtë sezon të ri të Premierligës, ndërsa minutat e vetëm që nga fillimi i sezonit i ka në ndeshjen e Community Shield kundër Manchester Cityt.

Ai nuk u përdor as nga banka rezervë për tri ndeshjet e para të Liverpoolit në këtë sezon të ri të Premierligës, përderisa sezonin e kaluar, të parin për të në skuadrën e “Reds”, luajti 28 herë. 

(Kosova Sot Online)