Futbollisti çek: Kosova e rrezikshme në sulm, ka probleme në mbrojtje

  • 05 September 2019 - 15:36
Futbollisti çek: Kosova e rrezikshme në sulm, ka probleme në mbrojtje

Filip Novak thotë se ai me shokët e ekipit kombëtar të Republikës Çeke e kanë studiuar mirë Përfaqësuesen e Kosovës përmes video-xhirimeve. Futbollisti çek shprehet se “Dardanët” janë të rrezikshëm në fazën ofanzive, por me probleme në aspektin defanziv

Futbollisti çek, Filip Novak ka folur për ndeshjen e ardhshme të Përfaqësueses së Kosovës ndaj Republikës Çeke, e cila do të zhvillohet këtë të shtunë duke filluar nga ora 15:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ekipi çek është duke ushtruar nga e hëna në Pragë, ndërsa të premten do të zbarkojë në Kosovë, një ditë para lojës së rëndësishme për të dyja palët.

Dhe, Novak thotë se ai me shokë e kanë analizuar kundërshtarin e radhës, për të cilin thonë se është i rrezikshëm në fazën ofanzive, por me probleme në atë defanzive.

“Dje dhe sot kemi parë video të ndeshjeve të Kosovës. Mendoj se jemi përgatitur mirë. Ne e pamë se ata janë të zgjuar përpara. Ata kanë probleme defanzive, por në ofanzivë janë të mirë. Ata nuk frikësohen të luajnë një kundër një, prandaj ne duhet të jemi të kujdesshëm për këtë”, ka thënë Novak para gazetarëve.

Mbrojtësi çek është i vetëdijshëm se ndeshja me Kosovën do të jetë mjaft e rëndësishme për pozitën e dytë, ndërsa tri ditë më pas çekët do ta vizitojnë Podgoricën për të luajtur me Malin e Zi.

“Natyrisht, sa më shumë që afrohet ndeshja, shtohet edhe nervoza, por jo diçka e ekzagjeruar. Ne duhet të besojmë tek njëri-tjetri dhe t’i konfirmojmë dy fitoret në shtëpi, në mënyrë që të mos i rrënojmë ato”, ka përfunduar Novak.

Kontingjenti i ekipit përfaqësues çek do të lëvizë drejt Prishtinës të premten paradite, ndërsa do të niset për në Podgoricë të shtunën pas lojës me Kosovën. 

(Kosova Sot Online)