Pique: Messi e ka fituar të drejtën ta braktisë Barcelonën

  • 06 September 2019 - 09:39
Pique: Messi e ka fituar të drejtën ta braktisë Barcelonën

Gerard Pique beson se Lionel Messi e ka fituar të drejtën për ta shkëputur kontratën me Barcelonën nëse dëshiron ta bëjë këtë gjë, mirëpo shtoi se askush në Camp Nou nuk shqetësohet se një gjë e tillë mund të ndodhë.

Siç është zbuluar nga El Pais, ylli argjentinas i Barcelonës e ka një klauzolë në kontratën e tij aktuale që ia lejon largimin nga klubi katalonas.

Pasi i mbushi 32 vjeç, pesë-herë fituesi i Topit të Artë e ka drejtën të largohet nga Barcelonën në fundin e cilitdo sezon. Kontrata e tij aktuale është e vlefshme deri në vitin 2021, mirëpo drejtuesit e klubi dëshirojnë t’ia zgjasin futbollistit këtë kontratë.

“Unë veçse e kam ditur se Messi mund të largohet falas në fund të çdo sezoni. Por, të gjithë e dimë se sa i përkushtuar është Leo ndaj Barcelonës dhe kjo nuk më shqetëson mua aspak”, ka thënë Pique për Cadena Ser.

“Ai e ka fituar të drejtën për të zgjedhur se çfarë të bëjë me të ardhmen e vet, pasi gjithçkaje që ka dhënë për klubin”.

Për herë të fundit, Messi nënshkroi kontratë të re me Barcelonën në vitin 2017, mirëpo presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, e ka bërë të qartë se dëshiron ta arrijë një marrëveshje për një kontratë të re me argjentinasin.

“Ne duam që ai ta ketë një karrierë me të vërtetë të gjatë në mënyrë që ne të vazhdojmë ta shijojmë atë. Lioneli ka arritur t’i kalojë të gjithë kufijtë. Të gjithë e adhurojnë atë dhe ai duartrokitet edhe në stadiumet e tjera nga tifozët rivalë”, kishte thënë Bartomeu për ESPN në prill.

“Do të na pëlqente t’ia rinovojmë kontratën, kjo është ideja. Ai është i ri – ju mund ta shihni këtë përmes paraqitjeve të tij – dhe atij i kanë mbetur edhe dy vjet në kontratë”.

“Ai është duke u përmirësuar gjithmonë, duke zbuluar diçka të re. Besoj se ai i ka edhe shumë vite para vetes dhe, gjatë muajve në vazhdim, do të ulemi me të në mënyrë që ai t’i ketë edhe shumë vite në Barcelonë”.

Messi më parë e kishte shprehur dëshirën për t’u pensionuar në klubin e fëmijërisë, Newell’s Old Boys, mirëpo nuk ka lënë të kuptohet se kur mund të ndodhë kjo gjë.

“Jam i sigurt se në Evropë, Barcelona do të jetë klubi im i vetëm. Unë gjithmonë kam thënë se dëshiroj të luaj në Argjentinë një ditë, nuk e di nëse do të ndodhë por e kam këtë në mendje”, kishte thënë Messi në maj të vitit 2018.

“Do të ishte me Newell’s, askund tjetër. Do të më pëlqente që për të paktën gjashtë muaj të isha atje, por kurrë nuk mund ta dish se çfarë do të ndodhë”.

(Kosova Sot Online )