Fjalimi i zjarrtë i trajnerit Challandes në konferencën për shtyp

  • 06 September 2019 - 15:50
Fjalimi i zjarrtë i trajnerit Challandes në konferencën për shtyp

Trajneri i ekipit kombëtar të Kosovës, Bernard Challandes, e sqaroi me shumë emocione se si dëshiron që skuadra e tij të luajë në ndeshjen e nesërme kundër Republikës Çeke në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.

Bernard Challandes bëri të ditur se ai dëshiron që ekipi i tij ta luajë një ndeshje të çmendur, duke menduar vetëm fitoren dhe duke bërë presion të vazhdueshëm. Momentin kur ai flet me shumë pasion mund ta ndiqni në videon e mëposhtme nga minuta 14:33.

“Nëse unë po flas për ndeshje të çmendur, unë nuk e kam fjalën vetëm për këtë apo atë lojtar. Mendoj, për shembull, nëse dua ta zbatoj një taktikë për të bërë presion… që numri dhjetë të shkojë te qendërmbrojtësi, që sulmuesi të shkojë te tjetri dhe ne të punojmë bashkë. Ky është presion me taktikë”, u shpreh Challandes.

“Në një ndeshje të çmendur, themi: “Shko, shko, shko, shko”. Nuk ka të bëjë me taktika, ndoshta nuk është e duhura, nuk është vrapimi i duhur, por e kemi këtu (në kokë). Dua të fitoj topin, dua ta fitoj ndeshjen. Ndoshta ne e humbim topin dhe prapë shënojmë sepse presioni nuk është vetëm në mbrojtje, është përgatitje për një gol”.

“Ky është për mua presioni i çmendur. Me Zhegrovën apo Berishën, kjo do të jetë e njëjta për mua. Ka të bëjë me mentalitetin e lojtarëve që janë në fushë, kjo për mua është ideja e së çmendurës”.

Republika Çeke shihet si kundërshtari direkt i Kosovës në tentimin për ta siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian 2020 përmes Grupit A, pasi që Anglia pritet ta fitojë këtë grup, ndërsa katër Kombëtaret tjera – Kosova, Çekia, Mali i Zi dhe Bullgaria – priten të luftojnë për pozitën e dytë, kualifikuese në EURO.

Përveç që në këtë ndeshje Kosova do të përballet me Kombëtare të ranguar më mirë në renditjen e FIFA-s, “Dardanëve” do t’u mungojnë edhe pesë futbollistë të cilët zakonisht janë standardë – Arbër Zeneli, Milot Rashica, Herolind Shala, Hekuran Kryeziu dhe Benjamin Kololli.

Të martën, Kosova do të përballet edhe me konkurrenten më të fortë në Grupin A, Anglinë, në stadiumin “St.Mary’s” në Angli.

(Kosova Sot Online)