Challandes jep sinjale se Rashani mund të startojë kundër Çekisë ose Anglisë

  • 06 September 2019 - 20:58
Challandes jep sinjale se Rashani mund të startojë kundër Çekisë ose Anglisë

Elbasan Rashani njihet si ‘Xhokeri’ i Kosovës, pasi çdoherë që është futur në lojë nga banka rezervë ka shënuar gol, i tillë është edhe rasti i fundit në fitoren 3-2 ndaj Bullgarisë.

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernarc Challandes, tani ka dhënë sinjale se ndoshta ka ardhur kohë që Rashani, i cili ka shënuar katër gola me Kosovën, të nisë një ndeshje nga fillimi.

26-vjeçari mund të startojë në sulm me Celinën e Muriqin, në mungesë të Milot Rashicës e Arbër Zenelit.

“Nuk e tregoj formacionin tani, por kur flasim për Rashanin, ai kishte disa ndeshje të mira në Superligën e Norvegjisë, gjë që është e mirë edhe për mua, por kur flasim për të edhe Rashicën është e vështirë t’i caktosh njërin, por ai po kalon një kohë të mirë në Norvegji”, tha Challandes. 

“Ai ka treguar disa paraqitje të mira atje dhe për mua ai është një mundësi e mirë, një mundësi shumë e mirë për ndeshjen e nesërme, pasi që do të luajë me lojtarët nga krahët, pasi ai luanë në të djathtë dhe të majtë në Norvegji”.

“Skuadra e Rashanit qëndron shumë mirë në ligë, ai ka shënuar, asiston po ashtu dhe është një kandidat i mirë për të luajtur nga fillimi nesër apo për ndeshjen e radhës”, deklaroi Challandes.

Përveç Rashicës e Zenelit, kundër Çekisë dhe Anglisë do të mungojnë edhe Kololli, Shala e Kryeziu.

(Kosova Sot Online)