Tifozët presin në radha të gjata jashtë stadiumit “Fadil Vokrri”

  • 07 September 2019 - 15:12
Tifozët presin në radha të gjata jashtë stadiumit “Fadil Vokrri”

Tifozët dardanë janë grumbulluar para stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në pritje për të hyrë brenda në stadium për ta shikuar ndeshjen e Kosovës me Republikën Çeke.

Kosova zbret në “Fadil Vokrri” e pamposhtur që 14 ndeshje me radhë, që nga nëntori i vitit 2017, derisa Çekia s’dinë për barazim që 20 ndeshje; 11 fitore, 9 humbje.

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, në mungesë të Milot Rashicës dhe Arbër Zenelit, ka hedhur në fushë dyshen; Rashani dhe Zhegrova, të cilët do ta përkrahin në sulm sulmuesin në top formë Vedat Muriqi.

Derisa befasia është lënia në stol e mesfushorit Valon Berisha, edhe pse Kosova ka mungesa – pasi që tashmë dihet Hekuran Kryeziu dhe Herolind Shala s’janë të gatshëm as për këtë ndeshje dhe as për atë të martën kundër Anglisë.

Dyshja e mesfushës do të jenë Voca dhe Besar Halimi, që kanë luajtur së bashku edhe në ndeshjet e qershorit, kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë.

Në mbrojtje, në mungesë të Benjamin Kolollit, Challand në krahun e majtë e ka aktivizuar Florent Hadërgjonajn, kurse pjesa tjetër janë të zakonshmit; Vojvoda, Rrahmani dhe Aliti.

Në portë tashmë është bërë i padiskutueshëm Aro Muric.



(Kosova Sot Online)