Griezmann e fajëson bashkëshorten për penalltinë e humbur me Shqipërinë

  • 08 September 2019 - 14:57
Griezmann e fajëson bashkëshorten për penalltinë e humbur me Shqipërinë

Antoine Griezmann e ka thënë me shaka se arsyeja përse ai e humbi penalltinë kundër Shqipërisë ka qenë mungesa e bashkëshortes së tij në tribuna.

Franca e mundi 4:1 Shqipërinë në ndeshjen kualifikuese për Euro 2020, të shtunën në Paris, falë golave nga Kingsley Coman, Oliver Giroud dhe Jonathan Ikone.

Megjithatë, Griezmann nuk ishte në gjendje të shënojë edhe pse pati rast ideal nga penalltia në pjesën e parë. Goditja e tij e fuqishme qëlloi shtyllën horizontale dhe u kthye në fushën e lojës.

I pyetur për penalltinë e humbur, sulmuesi i Barcelonës tha: “Nuk e di çfarë ndodhi. S’e di”.

“Thashë edhe më herët, mbase e humba sepse bashkëshortja ime nuk po e shikonte ndeshjen. Shumë keq, më duhet të punoj në këtë drejtim”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)