Futbollisti i Anglisë: Do ta kemi vështirë kundër Kosovës, por mund t’ua shënojmë tri apo katër gola

  • 10 September 2019 - 13:32
Futbollisti i Anglisë: Do ta kemi vështirë kundër Kosovës, por mund t’ua shënojmë tri apo katër gola

Futbollisti i ri i talentuar i Anglisë, Declan Rice, ka thënë se skuadra angleze është e vetëdijshme për cilësinë e Kombëtares së Kosovës, mirëpo shtoi se Anglia e ka cilësinë për ta mposhtur cilëndo skuadër për tri apo katër gola epërsi.

Ekipi kombëtar i Kosovës do ta vazhdojë rrugëtimin drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian 2020 me ndeshjen e sotshme kundër Anglisë, e cila nis në orën 20:45 në stadiumin e Southamptonit, “St. Mary’s”.

Kjo ndeshje do të jetë e vlefshme për Grupin A të kualifikimeve në EURO – ku garojnë edhe Republika Çeke, Mali i Zi dhe Bullgaria. Favorite për ta fituar këtë grup është Anglia, mirëpo Kosova do të mund ta sigurojë një vend në Evropian edhe duke u radhitur e dyta në grup.

“Do të jetë një test me të vërtetë i vështirë. Steven Holland (ndihmëstrajneri i Anglisë) na i kujtoi këtë gjë mbrëmë. Ai na tha se ata janë skuadra më në formë në Evropë”, ka thënë Rice në një intervistë të dhënë për ITV.

“Shumë prej nesh mund ta shikojnë Kosovën dhe të thonë se do të jetë ndeshje e lehtë, por ne e dimë se nuk do të jetë kështu. Do të jetë e vështirë, ata do të jenë përballë nesh dhe do t’i duan tre pikët pasi që janë menjëherë prapa nesh në grup”.

“Ne duhet të sigurohemi që dalim në fushë dhe ta bëjmë një paraqitje të mirë. Lojtarët e Kosovës duhet të jenë duke menduar se pse Bullgaria luajti në Ëembley e ne po luajmë në Southampton, s’dua ta ofendoj Southamptonin, por kjo do t’i nxisë ata”.

“Ne jemi përgatitur për këtë, e dimë se do të jetë një test i vështirë, por ne e kemi cilësinë për ta mposhtur cilëndo skuadër për tri apo katër gola. Ne vetëm duhet të sigurohemi se po luajmë me vetëbesim qysh nga fillimi”.

Momentalisht, Anglia e kryeson grupin A me nëntë pikë të fituara nga tri ndeshje të zhvilluara. Fitorja sonte do t’ia vazhdonte rekordin e 100 për qindtë në rrugën drejt EURO 2020, ndërsa disfata do të bënte që Kosova ta marrë kreun e grupit.

Për këtë ndeshje – njëjtë si për atë kundër Çekisë – trajnerit Challandes i mungojnë në skuadër pesë futbollistë të cilët zakonisht luajnë në formacionin e parë – Milot Rashica, Arbër Zeneli, Herolind Shala, Hekuran Kryeziu dhe Benjamin Kololli.

Në anën tjetër, Kosova radhitet e dyta në grup, me tetë pikë të grumbulluara nga katër ndeshje të zhvilluara. Fitorja do t’i vazhdonte Kosovës ecurinë e jashtëzakonshme prej 15 ndeshjeve pa disfatë, ndërsa humbja do t’ia jepte Republikës Çeke mundësinë ta marrë sërish vendin e dytë, pasi që çekët sot do të përballen me Malin e Zi.

Kjo është hera e parë që Kosova po përballet me Anglinë, ndërsa gjatë këtij viti do ta zhvillojë edhe një tjetër ndeshje me “Tre Luanët” – me 17 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”.

(Kosova Sot Online)