Kosova një forcë në rritje – s’ka shanse që ekzistojnë 119 ekipe tjera më të mira se ajo, sipas Sky Sports

  • 11 September 2019 - 17:34
Kosova një forcë në rritje – s’ka shanse që ekzistojnë 119 ekipe tjera më të mira se ajo, sipas Sky Sports

Televizioni britanik i sportit, Sky Sports, nuk beson që 119 ekipet e pozicionuara para Kosovës në renditjen zyrtare të FIFA-s janë në fakt më të mira se Kombëtarja dardane, pas paraqitjes guximtare dhe mbresëlënëse të martën kundër Anglisë.

Kosova e humbi 5:3 një ndeshje triller kundër Anglisë në Grupin A kualifikues për Euro 2020 në St Mary’s Stadium në Southampton, dhe si rrjedhojë edhe ecurinë prej 15 ndeshjeve pa humbje.

Përkundër humbjes së parë pas plot dy vjetëve, skuadra e Bernard Challandes, megjithatë, mori lëvdatat nga mediat britanike.

Sky Sports, në analizën e saj për ndeshjen e mbrëmshme, pati shumë fjalë të mira për Kosovën.

Më poshtë mund ta lexoni në pika vlerësimin e Sky Sports për Kombëtaren e Kosovës:    

Çfarë duhet të pëlqesh për këtë ekip të Kosovës dhe trajnerin e saj? Ata janë një bandë vëllezërish që luajnë për fanellën dhe flamurin e vendit të tyre të ri.

Ata luajnë futboll sulmues dhe bëjnë punë të palodhshme kur nuk e kanë topin. Banka e tyre rezervë qëndroi tërë kohën në këmbë duke i nxitur ata të shkonin përpara dhe festuan si të çmendur çdo herë që ekipi i tyre shënonte gol.

Vetëm 24 orë më herët, të gjithë ne po diskutonim për faktin sesi ndeshjet kualifikuese ishin bërë të mërzitshme dhe rutinore për Anglinë. Dikush natyrisht harroi t’i tregojë Kosovës.

Ata mund të jenë të renditur në vendin e 120-të në botë nga FIFA, por nuk ka shanse se ekzistojnë 119 ekipe të tjera më të mira se ata.

Kosova renditet e treta në Grupin A tani dhe e ka të garantuar të paktën një vend në play-off për Euro 2020 falë vendit të parë që e zuri në grupin e vet në Ligën e Kombeve.

Ne shpresojmë se përralla e tyre vazhdon dhe do t’i shohim ata dhe tifozët e tyre në Euro 2020. Nuk do të ishte çudi t’i shihnim më shumë lojtarë të tyre duke luajtur në Angli një ditë – veçanërisht Valon Berishën dhe Vedat Muriqin. 

(Kosova Sot Online)