Kryetarja e Parisit: Tifozët do ta falin Neymarin nëse ai luan mirë

  • 13 September 2019 - 13:18
Kryetarja e Parisit: Tifozët do ta falin Neymarin nëse ai luan mirë

Ylli brazilian është kritikuar nga tifozët e Paris Saint-Germainit këtë verë, pasi që tentoi të largohet nga klubi francez. Mirëpo, kryetarja e Parisit, Anne Hidalgo, beson se Neymari mund ta rifitojë dashurinë e tifozëve.

Neymari do të kthehet në fushën e gjelbër për Paris Saint-Germainin të shtunën, kur kampioni në fuqi i Ligue 1 do të përballet me Strasbourgun në “Parc des Princes”.

Pasi u kthye në Kombëtaren e Brazilit në fillim të këtij muaji, pas mungesës në Kupën e Amerikës për shkak të një lëndimi, e gjithë vëmendja do të jetë në yllin brazilian këtë fundjavë, kur ai do të luajë për PSG-në pas një vere plot spekulime.

Barcelona tentoi gjithçka që pati mundësi për ta kthyer ish-futbollistin e Santosit në “Camp Nou” gjatë turneut parasezonal, mirëpo një marrëveshje mes dy klubeve – Barcelonës dhe Paris Saint-Germainit – nuk u arrit në kohë.

Dhe tani edhe kryetarja e Komunës së Parisit, Anne Hidalgo, e dha mendimin e saj për kthimin e Neymarit në skuadrën e PSG këtë fundjavë.

“Do të më duhet të të ndihmoj të fitosh”, tha Hidalgo në një intervistë të dhënë për Tele-Loisirs.

“Mua më pëlqen futbolli dhe më pëlqen kjo skuadër. Ti duhet të japësh gjithçka nga vetja për të na ndihmuar ta fitojmë titullin e Ligës së Kampionëve”.

Që kur Neymari është transferuar në PSG, verën e vitit 2017, klubi francez s’ka arritur ta kalojë fazën e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, duke humbur kundër Real Madridit dhe pastaj kundër Manchester Unitedit.

Neymari kishte munguar në tri nga ato katër ndeshje dhe për shkak të dëshirës së tij për t’u larguar nga Paris Saint-Germaini këtë verë, një numër i madh i tifozëve francezë e kanë shprehur zemërimin e tyre me brazilianin.

(Kosova Sot Online)