Kante, jashtë skuadrës së Chelseat për dy ndeshjet e radhës

  • 13 September 2019 - 14:37
Kante, jashtë skuadrës së Chelseat për dy ndeshjet e radhës

Trajneri i Chelseat, Frank Lampard, e ka përjashtuar mundësinë e kthimit të mesfushorit N’Golo Kante në skuadër për ndeshjet kundër Wolvesit dhe Valencias.

Chelsea do të vizitojë Wolvesin të shtunën, në kuadër të Premierligës, para se ta presë klubin spanjoll, Valencian, të martën, në takimin e tyre për Ligën e Kampionëve.

Mesfushori francez ka luajtur në vetëm dy ndeshje të ligës për skuadrën e Lampardit gjatë këtij sezoni, pasi ka pasur probleme me një lëndim të kyçit të këmbës që prej barazimit 1:1 kundër ish-klubit të tij, Leicester Cityt, muajin e kaluar.

Dhe përderisa Lampardi thotë se francezi është afër rikuperimit nga ai lëndim, ai e pranoi se Kante nuk do të kthehet në dy ndeshjet e radhës, pasi që i duhet edhe rreth një javë për t’u rikuperuar plotësisht.

“N’Golo nuk është rikuperuar ende. Ai ka ende probleme me kyçin e këmbës. Ekipi mjekësor është duke punuar bashkë me të”, u shpreh trajneri i Chelseat, para ndeshjes në stadiumin “Molineux”.

“Ai është në një periudhë tranzicioni dhe ne po tentojmë ta kthejmë atë në fushë. Ai është duke u stërvitur fizikisht, por kjo ndeshje është shumë herët për të për t’u kthyer”.

“Shpresoj se ai është afër kthimit. Nuk dua ta them fjalën e fundit sepse ne po presim për përmirësime për ta kthyer atë ku e duam, në fushë. Shpresoj se kjo do të ndodhë javën e ardhshme ose diçka kështu”.

(Kosova Sot Online)