“Unë i kam fituar pesë Liga të Kampionëve, ata asnjë” – Ronaldo është armiku më i madh i Atleticos

  • 16 September 2019 - 09:30
“Unë i kam fituar pesë Liga të Kampionëve, ata asnjë” – Ronaldo është armiku më i madh i Atleticos

Në futboll ndodh që të krijohet rivalitet mes një futbollisti dhe një klubi, ndërsa rivali i Cristiano Ronaldos duket të jetë Atletico Madridi.

Meqenëse i kaloi nëntë vite te Real Madridi, një rivalitet i tillë është i kuptueshëm. Superylli portugez i ka shënuar 22 gola në portën e Los Rojiblancos me fanellën e Los Blancos, një prej tyre edhe në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2014.Ai ka vazhduar me ‘armiqësinë’ ndaj ekipit të Diego Simeones edhe pasi e veshi fanellën e Juventusit, madje duke e çuar rivalitetin në nivel tjetër. Atletico dhe Zonja e Vjetër u takuan në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve në edicionin e kaluar. skuadra spanjolle e fitoi ndeshjen e parë me rezultat 2-0 dhe festa e trajnerit ishte provokues kundrejt CR7 dhe bashkëlojtarëve të tij. Reagimi i portugezit ishte që në atë ndeshje duke u thënë: “Unë i kam fituar pesë Liga të Kampionëve, ata nuk e kanë fituar asnjë” dhe ky ishte një paralajmërim për ndeshjen e kthimit. Në Torino, ai shënoi het-trik dhe Juve e eliminoi Atleticon, ndërsa ia ktheu me të njëjtën monedhë festën Simeones.“Duhej të ishte një natë shumë e veçantë dhe e tillë ishte. Për këtë më ka transferuar Juve”, ishte deklarata e 34-vjeçarit pas ndeshjes.

Ronaldo e kishte eliminuar Atleticon edhe në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2017 duke shënuar het-trik në Santiago Bernabeu, ndërsa në çerekfinale të vitit 2015 e kishte dhuruar asistimin për golin e fitores së Javier Hernandez në minutën e 88-të.

Superylli portugez ishte makthi i Los Rojiblancos edhe në Kupën e Mbretit duke eliminuar me golat e tij në vitin 2014 (në gjysmëfinale) dhe në vitin 2011 në çerekfinale. Në total, Ronaldo dhe Atletico janë takuar 31 herë – 16 herë ka fituar CR7, nëntë herë Atletico dhe gjashtë herë janë ndarë baras. Me Realin dhe Juven i ka shënuar 25 gola dhe ka dhuruar tetë asistime kundër tyre.

Duke u bazuar në këto të dhëna, nuk ka dyshim se duhet të presim spektakël në ndeshjet grupore të Ligës së Kampionëve, ku do të përballen sërish Atletico Madridi dhe Juventusi. Takimi i parë zhvillohet të mërkurën mbrëma në Wanda Metropolitano.

(Kosova Sot Online )