Drejtori sportiv i PSG-së, i lodhur nga “telenovela meksikane” e Neymarit

  • 17 September 2019 - 08:11
Drejtori sportiv i PSG-së, i lodhur nga “telenovela meksikane” e Neymarit

Drejtori sportiv i Paris Saint-Germainit, Leonardo, e pranon se ende nuk është zgjidhur gjithçka me Neymarin, mirëpo ai dëshiron që të marrin fund spekulimet për të ardhmen e futbollistit.

Pasi dështoi ta sigurojë transferimin në Barcelona gjatë afatit kalimtar të kësaj vere, Neymari e bëri paraqitjen e tij të parë të sezonit të ri të shtunën, në takimin e Ligue 1 me Strasbourgun.

Ylli brazilian u fishkëllye nga tifozët e PSG-së në pothuajse çdo prekje të topit, mirëpo ai arriti ta shënojë golin e fitores në minutën e 92-të të ndeshjes, me një goditje akrobatike, në fitoren 1:0 të PSG-së.

27-vjeçari tha pastaj se ai pret që çdo ta luajë si ndeshje jashtë shtëpisë, për shkak se tifozët e Paris Saint-Germainin ende s’e kanë falur atë për tentimet e kësaj vere për t’u larguar nga klubi francez.

Leonardo nuk është gati ta injorojë përkushtimin e Neymarit për t’u larguar nga klubi, vetëm dy vjet pasi ata e blenë për 222 milionë euro. Mirëpo, ai insiston se bashkëkombësit të tij duhet t’i jepet mundësia për ta përmirësuar situatën pa u gjykuar çdo fjalë dhe veprim i tij.

“Neymari bëri gabime, po. Por, kur afati kalimtar u mbyll, ai u kthye në një mënyrë pozitive. Ai erdhi në kohë për stërvitje pas ndeshjeve me Brazilin dhe ai u soll shumë mirë. Ai luajti në një ndeshje të rëndësishme në kushte të këqija. Ai e shënoi një gol të mirë dhe pastaj e dha një deklaratë shumë të mirë dhe të sinqertë”, tha Leonardo për RMC.

“Është e sigurt se nëse e shikojmë çfarë thotë ai fjalë për fjalë, ne gjithmonë do të gjejmë gjëra për t’i komentuar. Dhe është e vërtetë se nuk mund të themi sot se gjithçka është mirë. Por, nuk mund ta bëjmë këtë gjë një telenovelë meksikane. Ne duhet të luajmë dhe të stërvitemi”.

“Ai tani është pjesë të njëjtave rregulla me lojtarët e tjerë. Ai është këtu dhe është pjesë e klubit. Neymari nuk është djalosh i keq. Ai është pjesë e trashëgimisë së futbollit, jo vetëm të PSG-së. Kur e shikon skuadrën, sigurisht që ne jemi më të fortë me të”.

PSG-ja do të përballet me Real Madridin në “Parc des Princes” të martën, në ndeshjen hapëse të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.

(Kosova Sot Online)