Mbyllet sezoni për Alex Morganin, shkaku i lëndimit

  • 17 September 2019 - 10:00
Mbyllet sezoni për Alex Morganin, shkaku i lëndimit

Alex Morgan do të mungojë në të gjithë pjesën tjetër të sezonit të Orlando Pride në National Women’s Soccer League (NWSL), nivelit të parë të futbollit të grave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi që e ka dëmtuar gjurin e këmbës së djathtë.

30-vjeçarja e pësoi lëndimin gjatë turneut të Kupës së Botës me ekipin kombëtar të SHBA-së, me të cilat u shpall kampione e botës, mirëpo lëndimi i saj u përkeqësua edhe më shumë gjatë një ndeshjeje me Orlando Pride.

Morgan foli për sezonin e saj emocional, përfshirë këtu triumfin në Kupën e Botës që u zhvillua në Francë, dhe premtoi se do të kthehet sezonin tjetër pasi ta fillojë rehabilitimin.

“Ky vit i ka pasur momentet më të mirë të mundshme, mirëpo i ka pasur edhe disa sfida dhe nganjëherë ti nuk mund t’i arrish qëllimet që ia ke vënë vetes për vitin 2019”, shkroi Morgan në Instagram.

“Unë jam e zhgënjyer se nuk do të mundem të garoj me Pride për pjesën e mbetur të sezonit të këtij viti për shkak të një lëndimi të gjurit, të cilin kam qenë duke e menaxhuar që nga Kupa e Botës. Më vjen keq që s’mund të jem aty për t’iu ndihmuar bashkëlojtareve dhe klubit për të arritur më shumë suksese”.

“Faleminderit tifozëve, shoqërisë, bashkëlojtareve dhe skuadrave dhe skuadrave për mbështetjen. Tashmë e kemi nisur procesin rikuperues në Los Angeles dhe mezi po pres të kthehem në fushë për ta bërë atë që e dua”.

(Kosova Sot Online )