Barcelona gjobitet me 300 euro për transferimin e Griezmannit, rrezikon edhe të luajë pa tifozë

  • 17 September 2019 - 12:56
Barcelona gjobitet me 300 euro për transferimin e Griezmannit, rrezikon edhe të luajë pa tifozë

Juantxo Landaberea, gjykatësi i Komitetit të Garave të Federatës së Futbollit të Spanjës, ka propozuar që stadiumi “Camp Nou” të mbyllet për një ndeshje, shkaku i transferimit të Antoine Griezmannit, përveç gjobitjes me 300 euro.

Barcelona rrezikon të ndëshkohet për shkak të negociatave të pretenduara të katalonasve me Antoine Griezmannin gjatë kohës sa ky i fundit kishte kontratë me ish-klubin e tij, Atletico Madridin.

Lajmi është bërë i ditur nga mediumi spanjoll, El Mundo, përkundër që ende nuk është konfirmuar nga Federata e Futbollit e Spanjës. Megjithatë, përfaqësuesit e Federatës kanë thënë edhe për AS se propozimi që Barcelona ta luajë një ndeshje pa tifozë e ka pëlqimin e pothuajse të gjithëve në Federatë.

Klubi katalonas veçse është gjobitur me 300 euro, pasi që Barcelona i ka shkelur nenet 88 dhe 126 të Kodit Disiplinor të Federatës së Futbollit të Spanjës.

Më 1 korrik, klauzola e shkëputjes së kontratës të Griezmannit me Atletico Madridin ra nga 200 në 120 milionë euro dhe rrjedhimisht Barcelona e pagoi këtë shumë për ta blerë francezin, gjë të cilën klubi madrilen e kundërshtoi.

Atletico Madridi pretendon se Barcelona i kishte nisur bisedimet me futbollistin francez në një kohë kur klauzola për shkëputjen e kontratës së tij ishte 200 milionë euro e jo 120 milionë dhe thotë se tani katalonasit ia kanë borxh edhe 80 milionë euro të tjera për transferimin e Griezmannit.

(Kosova Sot Online)