FFK-ja i reagon Federatës serbe, i kërkon UEFA-s dhe FIFA-s të mos e lejojnë zhvillimin e ndeshjes serbe në Kosovë

  • 17 September 2019 - 20:45
FFK-ja i reagon Federatës serbe, i kërkon UEFA-s dhe FIFA-s të mos e lejojnë zhvillimin e ndeshjes serbe në Kosovë

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) i ka dënuar përpjekjet e Federatës së Futbollit të Serbisë për ta organizuar zhvillimin e njw ndeshjeje të Kupës së Serbisë në territorin e Kosovës, si dhe iu ka bërë thirrje organeve qeverisëse të futbollit evropian dhe botëror, UEFA-s dhe FIFA-s ta parandalojë këtë.

Në shortin për fazën e 1/16 të finales së Kupës së Serbisë, i hedhur të martën, Crvena Zvezdës i ra të luajë kundër klubin serb nga Kosova, Trepçës, që po merr pjesë në këto gara ilegalisht.

Ndeshja mes këtyre dy klubeve është planifikuar të zhvillohet më 25 shtator në Zveçan të Mitrovicës.

Dhe kjo nuk është hera e parë që Federata serbe organizon zhvillimin e ndeshjeve garuese ta saja në territorin e Kosovës, gjë që është e ndaluar me ligj.

Për këtë ka reaguar edhe shtëpia e futbollit të Kosovës, FFK-ja që i ka kërkuar ndihmë edhe UEFA-s e FIFA-s në parandalimin e zhvillimit të ndeshjeve të garave serbe në vend. 

“Federata e Futbollit e Kosovës reagon ashpër ndaj tendencës së Federatës së Futbollit të Serbisë që të organizojë ndeshje të karakterit garues në kuadër të Kupës së Serbisë në Zveçan, ndërmjet klubit ilegal ‘Trepça’ nga Mitrovica e Veriut dhe klubit Crvena Zvezda nga Beogradi. Me këtë rast ftojmë FIFA-n dhe UEFA-n që të reagojnë urgjentisht dhe të mos lejojnë të shkelen statutet e tyre dhe njëherësh të parandalojnë ndonjë skenar të destabilizimit të gjendjes në veri të vendit tonë”, thuhet në reagimin e FFK-së.

FFK-ja u ka bërë thirrje edhe institucioneve të sigurisë në vend të mos e lejojnë zhvillimin e ndeshjes mes Trepçës dhe Zvezdës, duke thënë se nuk ka dhënë leje për zhvillimin e këtij takimi.

“Po ashtu kërkojmë nga institucionet e shtetit dhe organet e rendit e të sigurisë që ta trajtojnë me urgjencë këtë çështje dhe të marrin masat e duhura, në mënyrë që të mbrohet integriteti i FFK-së. FFK-ja, si organi i vetëm legal për të organizuar gara të futbollit në Kosovë, nuk ka dhënë leje për zhvillimin e një ndeshje të tillë dhe këtë e vlerëson si provokim të rëndë nga Federata e Futbollit e Serbisë”, thuhet tutje në reagim.

(Kosova Sot Online)