Tregimi për babanë e CR7: Ushtari që luftoi në Afrikë dhe u bë alkoolist nga papunësia, ndërsa nuk i përjetoi sukseset e djalit të tij

  • 17 September 2019 - 22:47
Tregimi për babanë e CR7: Ushtari që luftoi në Afrikë dhe u bë alkoolist nga papunësia, ndërsa nuk i përjetoi sukseset e djalit të tij

Superylli portugez i futbollit, Cristiano Ronaldo, ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme saqë shumëkush e përfshin në listën e më të mirëve në histori.

Mirëpo, të gjitha arritjet dhe suksesi i tij janë përcjellë me pikëllim, ndërsa fëmijëria e tij nuk ishte e aq e mirë për shkak të babait alkoolist, i cili nuk i përjetoi sukseset e mëdha të CR7.

Babai i tij, Jose Dinis Aveiro, ndërroi jetë në vitin 2005 si pasojë e sëmundjes së mëlçisë, kur Ronaldo ishte 20 vjeçar, dy vite pasi kishte shkuar te Manchester Unitedi.

Ndërsa në një intervistë që e ka dhënë ditë më parë për emisionin e Piers Morgan, 34-vjeçari kishte shpërthyer në lot kur i është treguar një video e babait të ndjerë teksa fliste me krenari për të.

Jose Dinis Aveiro ishte detyruar të bënte shërbimin ushtarak dhe kishte marrë pjesë në një luftë për të parandaluar Angolën që të pavarësohej nga Portugalia.

Ishte një luftë që u humb, ndërsa ai dhe bashkëluftëtarët e tij kishin përjetuar momente shumë të vështira. Kushtet e jetesës ishin shumë të rënda, derisa ushtarët kishin mbetur të uritur kur furnizimet kishin mbërritur të kalbura. 

Akoma më keq, në kamp ishin përhapur sëmundje infektive, saqë shumë ushtarë mbetën të shtrirë në krevate duke vuajtur nga malaria, dridhjet, temperatura – që i kishte lënë të palëvizshëm për disa javë.

Meqenëse uji nga lumi pranë nuk ishte i pijshëm, ata kishin jetuar duke pirë një birrë të Angolës, sepse ishte aq nxehtë, saqë etja ishte e papërballueshme.

Të gjitha këto, ndikuan shumë në gjendjen fizike dhe mendore të Aveiros, i cili u kthye në shtëpi i rrënuar pasi kishte shërbyer për atdheun.

Jeta e re

Pas kthimit nga lufta, Aveiro ishte i papunë dhe nuk kishte për të ngrënë (Foto: Instagram/katiaaveirooficial)

Pasi qëndroi për 13 muaj në Afrikë, ku kishte luftuar edhe në Mozambik, Aveiro u kthye në një Portugali që kishte ndryshuar. Duke qenë se vendi kishte shpenzuar shumë para në luftë, kishte pësuar një rënie të madhe ekonomike.

Në Madeira nuk kishte punë, ndërsa babi i Ronaldos ishte i varfër, teksa miqtë i blinin birra nëpër kafene, pasi e respektonin për faktin që kishte qenë në luftë.

Miku dhe bashkëluftëtari i tij, Jose Manuel Coelho, ka thënë për ESPN: “Veteranët e luftës nuk kishin para e as punë. Padyshim se kur e shor Ronaldon më kujtohet babai i tij”.

“Ai kishte probleme dhe nuk kishte asgjë për të ngrënë, prandaj u dha pas alkoolit. Miqtë i blinin pije. Nuk kishte para. Nuk hante sa duhet”.

Njeriu i fanellave

Babai i CR7 u bë kopshtar dhe pastaj fitonte të hyrat duke punuar si ekonom për Andorinhan, një klub me bazë në paralagjen Funchal të Santo Antonios.

Puna e tij ishte që ta pastronte zhveshtoren dhe të sigurohej që fanellat e të gjithë lojtarëve të laheshin.

Ai e siguroi punën sepse aty luante Ronaldo, ndërsa bashkëlojtarët e ngacmonin djalin e tij për punën e keqe të babait. Kjo gjë e bëri futbollistin që ta donte më shumë suksesin dhe t’u dëshmonte se ishte i pashkatërrushëm.

Në ndërkohë, Aveiro shihej shpesh duke pirë alkool me orë të tëra në një lokal të vogël të klubit.

I rrënuar nga alkoolizmi

Ronaldo e mbajti premtimin për t’u shpallur më i miri në botë (Foto: Instagram/cristiano)

Pas abuzimit me alkool për vite të tëra, Aveiro u bë i varur nga pija. Në shtator të vitit 2005, ai ndërroi jetë në Londër nga sëmundja e mëlçisë në moshë 51 vjeçare.

Ronaldo provoi gjithçka që ta mbante gjallë babanë e tij, mirëpo as të gjitha paratë në botë nuk mund t’ia shpëtonin jetën.

Lojtari i qëndroi pranë babit të tij kur vdiq dhe i premtoi se do të bëhej futbollisti më i mirë në botë. Ai asnjëherë nuk e shkeli premtimin, por fatkeqësisht babai i tij nuk e përjetoi suksesin e të birit.

(Kosova Sot Online)