Napoli e mund kampionin e Evropës, Barça barazon në rikthimin e Messit

  • 17 September 2019 - 22:59
Napoli e mund kampionin e Evropës, Barça barazon në rikthimin e Messit

Liverpooli e ka nisur me humbje mbrojtjen e titullit në Ligën e Kampionëve, pasi u mposht 2:0 nga Napoli në ndeshjen e tyre hapëse në Grupin E në Sao Paolo. Ndërkohë, Barcelona u ndal me barazim nga Borussia Dortmund në ndeshjen e rikthimit të Lionel Messit nga lëndimi.

Për më tepër, Valencia e ka tronditur Chelsean duke e mundur në Stamford Bridge.

Napoli 2:0 Liverpool

Liverpooli i Jurgen Klopp e ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme mbrojtjen e titullit në Champions, pasi u mund pastër në udhëtim kundër Napolit.

Dries Mertnes nga penalltia në minutën e 82-të dhe Fernando LLorente në minutën e 90+2 shënuan për klubit italian duke e gjunjëzuar kampionin në fuqi.

Klopp i pati vetëm tre minuta kohë të rregullt për Xherdan Shaqirin në këtë takim, i cili u fut në lojë në minutën e 87-të në vend të Jordan Henderson.

Salzburgu e ka mundur 6:2 Genkun dhe i prin Grupit E.

Dortmund 0:0 Barcelona

Dortmund do t’i qajë rastet e humbura dhe lëshimin e një mundësi për të dalë me tri pikë të plota nga skuadra më e fortë në letër në grupin e vdekjes.

Kapiteni Marco Reus dështoi nga penalltia në minutën e 57-të, pasi goditja e tij nga 11-metershi u prit nga Marc-Andre Ter Stegen, duke dëshmuar se nuk ishte nata e gjermanëve.

Barça, që u dominua me raste nëse jo me posedimin e topit, mund të jetë e lumtur me faktin se në këtë ndeshje iu rikthye Lionel Messi.

Kapiteni i katalonasve u fut në lojë nga stoli në minutën e 59-të në vend të adoleshentit Ansu Fati.

Kjo ishte ndeshja e parë për argjentinasin këtë sezon në fanellën e Barçës, pas lëndimit muskulor që ia ka shtyrë deri sot debutimin në sezonin e ri.

Interi u trondit nga Slava Praga sot më herët duke u ndalur me barazim në shtëpi dhe si pasojë Grupi F i ka katër skuadra me nga një pikë pas xhiros së parë.

(Kosova Sot Online)