E pranon trajneri i PSG-së: Neymari bëri gjithçka të mundur për t’u larguar

  • 18 September 2019 - 15:16
E pranon trajneri i PSG-së: Neymari bëri gjithçka të mundur për t’u larguar

Trajneri i Paris Saint-Germainit, Thomas Tuchel, është i vetëdijshëm se Neymari bëri gjithçka në fuqinë e tij për t’u larguar nga klubi francez gjatë afatit kalimtar të kësaj vere, mirëpo shtoi se mes tyre nuk kishte pasur asnjëherë mospajtime.

Neymari ia bëri PSG-së të qartë gjatë kësaj vere se ai dëshironte të kthehej te ish-klubi i tij, Barcelona këtë verë, ku dëshironte ta riformonte partneritetin MSN në sulm me Lionel Messin dhe Luis Suarezin. Interesim për Neymarin gjatë verës shprehi edhe Real Madridi.

Megjithatë, asnjë marrëveshje nuk arrit me asnjërin klub spanjoll dhe braziliani është detyruar të qëndrojë në Francë edhe për një sezon tjetër.

Si rezultat i dëshirës së Neymarit për t’u kthyer në Spanjë, tifozët e PSG-së e pritën atë me fishkëllima dhe ofendime në ndeshjen e tij të parë për klubin francez këtë sezon, përkundër që ai e shënoi golin e fitores në mënyrë mbresëlënëse – gol akrobatik në minutat e fundit të ndeshjes.

Tuchel thotë se ai e kupton zemërimin e tifozëve të PSG-së, mirëpo Neymari mbetet një profesionist shembullor dhe insiston se se ai do të vazhdojë ta japë maksimumin e tij për klubin këtë sezon.

“Ai nuk dëshironte të jetë këtu. Ai bëri gjithçka në fuqinë e tij për t’u larguar nga klubi. Kjo nuk e bëri atë të famshëm në mesin e tifozëve. Ju mund ta kuptoni këtu dhe unë e kuptoj nëse tifozët janë të zemëruar me të përgjithmonë”, tha Tuchel.

“Megjithatë, është një anë tjetër mes atij si lojtar dhe meje si trajner. Ne kurrë nuk patëm mospajtime. Për këtë arsye unë e pata shumë të lehtë ta inkuadroj atë në lojë. Ai gjithmonë është stërvitor si profesionist. Mendoj se vendimi ishte çlirues për të, edhe nëse ishte kundër dëshirës së tij”.

“Pastaj, njeriu automatikisht përqendrohet te detyrat. Si atlet, nuk mund të mendosh për shumë gjëra të tjera. Duhet ta japësh maksimumin tënd. Ai është i uritur dhe është një djalosh garues që gjithmonë dëshiron të fitojë”.

“Ai duhet t’i përballojë fishkëllimat nga tifozët tani, ky është realiteti. Ai duhet ta kalojë këtë periudhë dhe ne duhet ta kalojmë këtë gjë kur luajmë në shtëpi. Gjëja më e mirë për ta bërë është ta pranojmë”. 

(Kosova Sot Online)