Tentimi i i shtatë i Guardiolës në Ligën e Kampionëve

  • 18 September 2019 - 16:15
Tentimi i i shtatë i Guardiolës në Ligën e Kampionëve

Pep Guardiola nuk është ndalur duke shtuar trofe në koleksionin e tij mbresëlënës që nga fillimi i karrierës së tij si trajner në vitin 2008. Përveç 14 trofeve që arriti t’i fitojë me Barcelonën, Guardiola u bë i njohshëm edhe për futbollin që e implementoi në atë skuadër.

Megjithatë, që kur është larguar nga Camp Nou, ai nuk arritur ta rrisë numrin e trofeve të Ligës së Kampionëve nga ato dyja që i kishte fituar në vitin 2009 dhe 2011.

“Unë nuk kam ardhur në Manchester City për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve. Kam ardhur këtu për të luajtur në mënyrën që ka luajtur skuadra gjatë muajve të fundit”, tha Guardiola, pasi u eliminua nga Liga e Kampionëve sezonin e kaluar.

Ai ka qenë i suksesshëm në Angli, ashtu siç kishte qenë në Gjermani me Bayern Munichun. Por, përkundër që i fitoi shtatë trofe me bavarezët, kurora evropiane i iki nga duart.

“Unë e di se në Bayern ishin të zhgënjyer që s’e fituam dot trofeun e Ligës së Kampionëve në tre sezonet e mia aty. Unë dua të fitoj, kjo është sfida ime, por në futboll ti humb më shumë sesa që fiton”, e pranoi trajneri spanjoll.

Për këtë sezon, Guardiola është përgatitur për sulmin e tij të shtatë, pasi që gjashtë sulmet paraprake i kishin shkuar huq pasi që skuadrat e tij ishin eliminuar nga Liga e Kampionëve. Me Bayernin, gjysmëfinalja ishte maksimumi që arriti, pasi që Real Madridi, Barcelona e Atletico Madridi e ndalën atë në rrugën drejt finales.

Në sezonin 2016/17, Monaco i Kylian Mbappes e eliminoi Manchester Cityn në fazën e 1/8 të finales, para se të eliminoheshin nga Liverpooli dhe Tottenhami në fazën çerekfinale në dy sezonet e fundit.

Pikërisht ashtu siç bëri në Allianz Arena, Guardiola ka thyer rekorde edhe me “Citizens”, por ai s’po arrin ta ketë të njëjtën formë, si në garat vendore, në skenën evropiane.

Përkundër që s’ka arritur ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve që kur u largua nga Barcelona, ai i ka shpenzuar 982 milionë euro për transferimin e lojtarëve. 776 milionë euro të kësaj shume i ka shpenzuar gjatë kohës sa ka qenë trajner i Manchester Cityt.

(Kosova Sot Online)