“Duam Europën, por të qëndrojmë me këmbë në tokë”

  • 19 September 2019 - 19:38
“Duam Europën, por të qëndrojmë me këmbë në tokë”

Gjilani është skuadra e momentit në Ipko Superligën e Kosovës dhe Gentjan Mezani nuk ka sesi të mos ndihet i kënaqur me atë çfarë po bëjnë futbollistët e tij.

Pas humbjes turpëruese në ndeshjen e javës së parë ndaj Trepça ’89, “skifterat” kanë regjistruar 4 fitore radhazi në 4 ndeshjet e fundit duke u ngjitur në krye të renditjes.

Megjithatë në një intervistë për Supersport ish-trajneri i Laçit dhe Luftëtarit ka kërkuar të mbajë me këmbë në tokë lojtarët e tij.

“Nuk po e shohim renditjen, po merremi me ndeshjet tona, sepse kjo është filozofia ime. Të marrim ndeshjet një nga një, pasi që secila ndeshje dallon nga ndeshjet tjera. Ndaj Ballkanit nuk bëmë një lojë të bukur, por luajtëm për të fituar. Pa dyshim kjo ishte ndeshja më e vështirë deri më tani dhe kemi marrë të gjitha masat që mos të gabojmë, sidomos të mbulojmë mirë repartin e tyre sulmues, që ka shumë cilësi. Kemi fituar një ndeshje të vështirë dhe unë jam i kënaqur për këtë gjë”– deklaroi Mezani për një intervistë në SuperSport.

Në merkaton e verës Gjilani ka afruar shumë lojtarë nga Kategoria Superiore dhe emra të tillë si Progni e Busic po bëjnë diferencën në këto javë të para teksa të dy ish-lojtarët e Teutës numërojnë nga 3 gola. Europa është objektivi minimal i Gjilanit në këtë sezon dhe këtë e pranon edhe trajneri Mezani, edhe pse mund të tentohet edhe më shumë.

“Është shumë normale që tifozët, drejtuesit e klubit, por edhe stafi teknik të presë diçka më tepër nga ky edicion. Madje edhe vetë futbollistët janë të vetëdishëm për investimet që janë bërë këtu. Por, primare kemi daljen në Europë dhe më pas mbetet të shihet”.

(Kosova Sot Online)