Granada e mposht Barcelonën dhe e merr kreun e La Ligës

  • 21 September 2019 - 23:04
Granada e mposht Barcelonën dhe e merr kreun e La Ligës

Barcelona pësoi disfatë me rezultat 2:0 në ndeshjen kundër Granadas, që u zhvillua sot në stadiumin “Nuevo Los Carmenes”, në kuadër të xhiros së pestë të sezonit të ri të La Ligës.

Barcelona është ende në kërkim të fitores së parë në ndeshjet që i zhvillon si mysafire këtë sezon, pasi që skuadra e Ernesto Valverdes nuk e dëshmoi veten as sonte jashtë stadiumit “Camp Nou”, duke u mposhtur nga klubi që vitin e kaluar luajti në nivelin e dytë të futbollit në Spanjë, Granada.

Barcelona e dominoi ndeshjen me posedim të topit (74% – 26%), mirëpo blaugranët nuk arritën të regjistrojnë më shumë se një goditje brenda kuadratit të portës kundërshtare.

E në anën tjetër, lojtarët e Granadas i patën gjithsej tetë goditje, prej të cilave katër brenda kuadratit të portës.

Goli i parë i Granadas erdhi në minutën e dytë të ndeshjes, pasi Junior Firpo e humbi topin. Goditja e Puertas u devijua dhe shkoi mbi Marc-Andre ter Stegenin, duke ia lënë Ramon Azeez portën e hapur për të shënuar.

Përderisa Barcelona tentoi të kthehet në lojë pas këtij goli të hershëm – duke i inkuadruar në lojë Lionel Messin dhe Ansumanne Fatin në fillim të pjesës së dytë – ishte sërish Granada ajo që e gjeti portën në pjesën e dytë. Në minutën e 66-të të ndeshjes, Alvaro Vadillo u tregua i saktë nga pika e penalltisë.

Tani, Barcelona radhitet në pozitën e shtatë në tabelën e La Ligës, me vetëm shtatë pikë të fituara nga pesë ndeshjet e para, ndërsa Granada është lidere e tabeles, me dhjetë pikë të grumbulluara.

Barcelona do të tentojë të kthehet fuqishëm në ndeshjen kundër Villarrealit, sërish në kuadër të La Ligës, e cila do të zhvillohet pas vetëm tri ditësh. 

(Kosova Sot Online)