Tuchel: Neymar 100 për qind i përkushtuar ndaj PSG-së

  • 23 September 2019 - 10:18
Tuchel: Neymar 100 për qind i përkushtuar ndaj PSG-së

Trajneri i Paris Saint-Germain, Thomas Tuchel, ka thënë se Neymari është 100 për qind i përkushtuar ndaj PSG-së, pas golit të fitores kundër Lyon në Ligë 1 të dielën.

Edhe pse ishte rrethuar nga katër mbrojtës në minutën e 87-të, Neymar ia doli të krijoi hapësirë dhe të gjuajë duke e mposhtur portierin e Lyonit Anthony Lopez, për t’ia fituar PSG-së një ndeshje tjetër të vështirë.

Anësori brazilian e kishte bërë të njëjtën gjë edhe para një jave ndaj Strasbourg.

Trajneri Tuchel e ka lavdëruar Neymarin për aftësitë për të shënuar gola, përkundër përgatitjeve jo të mira fizike.

“Ai është 100 për qind me ne. Ai është 100 për qind në këtë skuadër. Ai qesh dhe bën shaka dhe është serioz”, tha Tuchel pas ndeshjes.

“Kjo është vetëm ndeshja e tretë e tij në katër muaj. Ai do të forcohet fizikisht me kalimin e kohës dhe kjo do t’i ndihmojë atij. Neymar është gjithmonë vendimtar, kreativ dhe shikon përpara”, shtoi ai.

Neymar u fishkëllye nga tifozët e PSG-së në ndeshjen kundër Strasbourg në shtëpi, javën e kaluar, pasi në verë e kishte kërkuar kthimin në Barcelonë.

(Kosova Sot Online )