Robertsoni: Dështimi i sezonit të kaluar në Premierligë na ka ndihmuar

  • 24 September 2019 - 08:27
Robertsoni: Dështimi i sezonit të kaluar në Premierligë na ka ndihmuar

Mbrojtësi i Liverpoolit, Andrew Robertson, beson se zhgënjimi i sezonit të kaluar në Premierligë e ka shtruar rrugën për fillimin e përsosur në këtë sezon të ri për skuadrën e Jurgen Kloppit.

“The Reds” i kanë fituar të gjashtë ndeshjet e tyre në kuadër të ligës deri më tash, duke i shënuar plot 17 gola e duke i pranuar vetëm pesë në këtë fillim të sezonit 2019/20.

Fitorja e fundit e Liverpoolit, me rezultat 2:1 kundër Chelseat në Stamford Bridge, e vazhdoi epërsinë prej pesë pikësh të skuadrës së Kloppit ndaj Manchester Cityt të Pep Guardiolës në Premierligë.

Pikërisht skuadra e Guardiolës e mposhti Liverpoolin në garën për titullin e kampionit të Anglisë sezonin e kaluar, duke e fituar këtë betejë vetëm në ditën finale të sezonit, me epërsi prej një pike.

Robertson insiston se beteja e sezonit të kaluar për trofeun e Premierligës e ka ndihmuar skuadrën të rritet, edhe pse në fund Liverpooli nuk e arriti qëllimin e vet.

“Vetëm duhet t’i fitosh ndeshjet dhe të ecësh përpara. Ne nuk duhemi të mbetemi duke folur për fitoren kundër Chelseat. E kemi një tjetër javë të madhe para vetes dhe duhet të fokusohemi te vetja, te askush tjetër”, tha Robertson.

“Kemi sfida të mëdha para vetes dhe duhet të vazhdojmë t’i arrijmë ato. Në këtë periudhë, nëse mund ta mbajmë këtë ecuri deri te ndeshjet e ardhshme të ekipeve kombëtare dhe të vazhdojmë t’i shikojmë ndeshjet e radhës, atëherë këtë gjë do ta bëjmë. Por, e kemi një rrugë të gjatë deri atëherë dhe të gjithë prapa nesh do të presin që ne të humbim pikë”.

“Kështu që jam i sigurt se ne do të jemi gati për gjithçka. Ne duhet të jemi gati për këto situata dhe mendoj se sezoni i kaluar na ka munguar shumë në këtë aspekt”.

Liverpooli është në mes të një agjende të ngarkuar të ndeshjeve, pasi që klubi anglez do të përballet me ndeshje në kuadër të Premierligës, Ligës së Kampionëve dhe Carabao Cup.

(Kosova Sot Online )