Neymari flet për gjendjen e tij: I kam bërë shumë gabime

  • 24 September 2019 - 11:22
Neymari flet për gjendjen e tij: I kam bërë shumë gabime

Neymari i ka pasur disa momente shpërthyese gjatë viteve të fundit, mirëpo sulmuesi brazilian e ka pranuar se ai po tenton ta përmirësojë këtë aspekt të personalitetit të tij, përderisa foli për problemet e tij me shëndetin mendor.

Ylli i Paris Saint-Germainit u zu mes një numri të incidenteve sezonin e kaluar, përfshirë këtu një suspendim në Ligën e Kampionëve, pasi i kritikoi ashpër gjyqtarët pas eliminimit të skuadrës së tij nga Manchester Unitedi, si dhe rastin kur e grushtoi një tifoz, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, braziliani është duke punuar për ta menaxhuar më mirë zemërimin e tij dhe është duke e vëzhguar veten se si po e menaxhon veten dhe po reagon në momente të vështira.

“Unë nuk jam një person që më pëlqen të flas. Unë jam djalosh i druajtur, unë i mbaj gjërat për vete”, tha Neymari në një intervistë të dhënë për The Mirror.

“Por, vjen një pikë kur ti mbetesh i zemëruar, i irrituar, shpërthen dhe nuk komunikon në mënyrën e duhur. Unë po tentoj ta përmirësoj këtë aspekt timin”.

“Kurdo që e kam një bisedë të caktuar me dikë, unë tentoj të flas dhe mendoj se kjo po ndikon për të mirë te unë. Mendoj se kur je mirë në aspektin mendor, gjërat ndodhin në mënyrë të natyrshme. Ti ki më shumë gjasa t’i bësh gjërat e duhura”.

“Nëse nuk je mirë, gjërat nuk do të ndodhin ashtu siç pret. Nganjëherë, është e vështirë sepse ti gjithmonë duhet të jesh i përsosur dhe, si qenie njerëzore, kjo gjë është e pamundur”.

“Unë kam gabuar shumë herë dhe rifitimi i vetëbesimit që e kisha e ka një çmim. Por, është normale për njerëzit të dështosh, është pjesë e jetës dhe gabimet të ndihmojnë të rritesh dhe të mësosh”. 

(Kosova Sot Online)