Antonio Conte e akuzon shtypin italian për nxitje të urrejtjes
Antonio Conte e ka sulmuar shtypin italian duke e akuzuar për nxitje të urrejtjes dhe pakënaqësive, para ndeshjes së Interit kundër Lazios në Serie A të mërkurën mbrëma.
Interi përballet me rivalin e moçëm, Juventusin, në derbin italian më 6 tetor, dhe tashmë mediat kanë shkruar se Conte do të pritet në mënyrë armiqësore kundër ish-klubit.
Conte tha të martën në një konferencë për media se ndihet i tronditur me shkrimet për të dhe ish-klubin e tij.
“I kam lexuar disa lajme për ndeshjen mes Interit dhe Juventusit si një takim ku mua do të më ofendojnë shumë. Jam i tronditur sepse kushdo që i shkruan këto duhet të ketë më shumë ndërgjegje dhe të kuptojë se çka shkakton provokime dhe se çfarë ndjenjash iu ngjallin lexuesve”, tha Conte.
“Sikur të isha redaktor i gazetës, do t’i shqelmoja në prapanicë. Kushdo që i shkruan dhe i lëshon këto gjera duhet të marrë përgjegjësi shtesë sepse sot çdo gjë publikohet në rrjetet sociale dhe kjo ndjell urrejtje dhe pakënaqësi”, shtoi ai.
(Kosova Sot Online)