Reagon Juventusi: E respektojmë Messin, por Ronaldo e meritoi të shpallej më i miri

  • 24 September 2019 - 22:09
Reagon Juventusi: E respektojmë Messin, por Ronaldo e meritoi të shpallej më i miri

Drejtori i Juventusit, Fabio Paratici, ka këmbëngulur se klubi italian ka respekt të madh për Lionel Messin, por Cristiano Ronaldo e ka merituar të shpallej Lojtari më i Miri i Vitit nga FIFA dhe jo argjentinasi.

FIFA e shpalli sulmuesin e Barcelonës Messin më të mirin e vitit 2019 të hënën në një gala mbrëmje në Milano, në të cilën Ronaldo nuk mori pjesë fare.

Besohet se sulmuesi portugez i Juves e kishte refuzuar pjesëmarrjen në këtë ceremoni sepse e dinte se çmimi kryesor i mbrëmjes do t’i ndahej rivalit të përjetshëm të tij, Messit. 

Ronaldo nuk doli as i dyti në fakt, pasi qendërmbrojtësi i Liverpoolit, mori vota më shumë se ai dhe u rendit menjëherë pas Messit.

“Ne e respektojmë Messin, por Cristiano Ronaldo e meritoi ta fitojë çmimin për më të mirin e botës. Ne mendojmë se pas sezonit të fundit, gjatë të cilit Ronaldo e fitoi Ligën e Kombeve me Portugalinë, Serie A dhe superkupën e Italisë me Juventusin, do ta fitonte çmimin”, tha Paratici për DAZN.

(Kosova Sot Online)