Tjetër skandal racizmi në Itali, këtë herë viktimë është Pjanici

  • 25 September 2019 - 12:21
Tjetër skandal racizmi në Itali, këtë herë viktimë është Pjanici

Një grup i tifozëve të Brescias u dëgjuan duke bërë thirrje raciste në drejtim të mesfushorit të Juventusit, Miralem Pjanicit, gjatë ndeshjes së mbrëmshme mes dy klubeve, në kuadër të Serisë A.

Sport Mediaset raporton se tifozët ultras të Brescias u dëgjuan duke thirrur “zingaro” – apo “cigan” në shqip – drejt Miralem Pjanicit, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, boshnjaku qeshi i fundit, pasi që ai e shënoi golin e fitores në “Rigamonti” dhe e festoi atë me festimin ikonik të tij, duke e bërë shkronjën M me duar.

“Nga ajo pozitë, ti nuk shqetësohesh se ku po përfundon topi, por kë mund ta përqafosh të parin”, shkroi Pjanici në Instagram.

Edhe trajneri i Bolognas, Sinisa Mihajlovic, është ankuar në të kaluarën për këtë term, duke thënë se ai përdoret kundër tij gjatë ndeshjeve në Itali.

Ky incident vjen vetëm pak ditë pasi FIGC i filloi hetimet për abuzimin në baza racore që iu bë mbrojtësit të krahut të majtë të Fiorentinës, Dalbertit.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i ka bërë thirrje Serisë A ta gjejë një zgjidhje ndaj këtij problemi dhe ta largojë racizmin nga futbolli dhe nga shoqëria.

Ky është rasti i katërt i racizmit në këtë sezon të ri të Serisë A, pasi që, para Dalbertit, incidente të tilla raportuan edhe Romelu Lukaku i Interit dhe Franck Kessie i Milanit.

Megjithatë, incidentet e tilla nuk kanë ndodhur vetëm në Itali, pasi që shumë lojtarë të Premierligës, përfshirë këtu Paul Pogba, Marcus Rashford dhe Tammy Abraham, kanë përjetuar një gjë të tillë në rrjete sociale.

(Kosova Sot Online)