Prishtina e vazhdon këndelljen në urdhrat e Dallkut, e mund edhe Dukagjinin

  • 25 September 2019 - 20:10
Prishtina e vazhdon këndelljen në urdhrat e Dallkut, e mund edhe Dukagjinin

Prishtina e ka vazhduar rekordin e përkryer nën udhëheqjen e trajnerit të ri, Armend Dallkut, pasi e mundi edhe Dukagjinin 2:0 në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.

Meriton Korenica dhe Leonit Abazi shënuan për t’ia dhuruar tri pikët e plota Prishtinës nga ndeshja e javës së dytë kundër Dukagjinit, e cila ishte shtyrë për këtë datë për shkak të obligimeve të Kombëtares së Kosovës në stadiumin Fadil Vokrri në muajin shtator.

Dallku e ka shfaqur ndikimin e tij te bardhekaltrit duke i dhënë fund ecurisë prej tri ndeshjeve pa fitore, pasi triumfoi në derbin kundër Gjilanit në fundjavë dhe tani kundër Dukagjinit, menjëherë pasi e mori drejtimin e skuadrës duke e zëvendësuar të larguarin Mirel Josa.

Klubi nga kryeqyteti kaloi në epërsi herët në takim, kur Korenica shënoi një gol të bukur me kokë pas një aksioni të rrjedhshëm në minutën e 7-të.

Abazi e dyfishoi epërsinë e bardhekaltërve në minutën e 51-të, pas një asisti nga Armend Thaqi.

Prishtina tani grumbullon 10 pikë në pozitën e gjashtë, dy më pak se dy të parët, Feronikeli dhe Gjilani dhe një më pak se tri skuadra, Drita, Llapi dhe Ballkani.

Ndërkohë, Dukagjini assesi të këndellet, pasi kjo ishte humbja e katërt radhazi për të.

Klubi nga Klina nuk e ka shënuar ende asnjë fitore në ligën elitare kosovare dhe ndodhet në fund të saj. 

(Kosova Sot Online)