Interi shkëlqen edhe në marketing, rekord të ardhurash në sezonin që lamë pas

  • 26 September 2019 - 21:25
Interi shkëlqen edhe në marketing, rekord të ardhurash në sezonin që lamë pas

Interi po “fluturon” në kampionat, me 5 fitore në po kaq ndeshje, duke kryesuar me meritë me 15 pikë të plota, por përveç djemve të Contes, një punë mjaft e mirë po bëhet edhe në drejtimin e klubit.

Kështu sipas të dhënave paraprake, Interi ka mbyllur bilancin e sezonit 2018-2019 me një faturim prej 415 milionë eurosh, ose më tepër se 20% më shumë se një vit më parë, ku u faturuan vetëm 346 milionë euro.

Shkak për këtë rritje është bërë pjesëmarrja e klubit në Champions, që ka sjellë rreth 47 milionë euro vetëm nga të drejtat televizive, por nuk mbetet pas as tregu aziatik, që ka sjellë një shifër të konsiderueshme të ardhurash.

Natyrisht që bilanci edhe për këtë sezon është negativ, por me një shifër prej rreth -17 milionë eurosh, që është nën nivelin e kërcënimit nga Fair Play Financiar, ndërsa drejtuesit synojnë ta zerojnë deri në sezonin 2021-2022.

(Kosova Sot Online)